Arrestohet Kajolli, biznesmen e anëtar i këshillit bashkiak të Fierit, i kërkuar nga drejtësia italiane - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Është arrestuar në Fier Fatmir Kajolli, 47 vjeç, i dënuar nga Gjykatat e Milanos e Romës me 40 vjet burg

Tiranë, 10 prill 2012 - Policia e Fierit ka arrestuar një shtetas ndaj të cilit ishte lëshuar një urdhër arresti ndërkombëtar pasi është dënuar me 40 vjet burg nga 2 gjykata të ndryshme në Itali. Është Fatmir Kajolli, 47 vjeç, anëtar i këshillit Bashkiak të qytetit të Fierit në dy mandate, i zgjedhur nga Partia Republikane.

Ai njihet në Fier si biznesmen ndërtimi, përfshirë edhe ndërtim rrugësh, me veprimtari politike dhe me lidhje me disa ministra e politikanë të njohur në nivel lokal dhe qendror.
Ai është cituar nga kabllogramet e ambasadës së SHBA si një biznesmen i dyshimtë që mban lidhje me Fatmir Mediun.

Mediu dhe Kajolli kanë një miqësi të hershme, nga viti 90. Po ashtu Mediu ka punësuar shumë njerëz të afërt të Kajollit. G . Kajolli, shofer shoqërues i Mediut, është nip i Kajollit ndërsa Muharrem Kajolli ishte drejtor i burimeve njerëzore në Ministri të Mbrojtjes në kohën kur Mediu ishte ministër. Aktualisht vëllai i Fatmir Kajollit, është pjesë e kabinetit të Ministrit Fatmir Mediu, si këshilltar i tij, siç duket edhe nga e faqja internet e kësaj ministrie.

Kajolli është dënuar nga Gjykata e Romës me 16 vite burg dhe nga Gjykata e Milanos me 24 vite, për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Pas arrestimit Kajolli do t’i nënshtrohet procedurave të ekstradimit në Itali ku edhe pritet të vuajë dënimin e dhënë nga dy gjykatat.