Arrestohet në Durrës 48-vjeçari i dënuar nga gjykata e Riminit për abuzim mbi të mitur - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Kur jetonte në Morciano di Romagna (Rimini) ka abuzuar me të bijën e mitur. Për këtë arsye Gjykata e Riminit e kishte dënuar në mungesë me 10 vjet e 8 muaj burg dhe Interpol Roma e kishte shpallur në kërkim ndërkombëtar

Tiranë 19 mars 2012 – Është arrestuar sot në Shijak 48 vjeçari H. Kashta me banim në Sukth të Durrësit për një urdhër arrest të lëshuar nga gjykata e Riminit, për abuzim seksual  me të bijën.

Ngjarjet për të cilat akuzohet kanë ndodhur në vitet 2006-2007 kur ai jetonte në qytetin romanjol Morciano di Romagna dhe e bija ishte vetëm 14 vjeçe. Kashta është shpallur në kërkim nga Interpoli italian më 25 tetorin e shkuar, pasi në korrik të 2011-tës, Gjykata e Riminit e kishte dënuar me 10 vjet e 8 muaj heqje lirie.

Policia e Durrësit ka njoftuar se i ndaluari është në pritje të kompletimit të procedurave për ekstradim.