Arrestohet në Vlorë një 38-vjeçar i kërkuar nga organet e drejtësisë në Itali - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Ilir Hodaj, në korrik të vitit 2010, është dënuar nga Gjykata Penale e Firences me 4 vjet e gjysmë heqje lirie, me akuzat e pengmarrjes, shfrytëzimit të prostitucionit dhe të armëmbajtjes pa leje

Tiranë, 13 prill 2012 – Brenda pak ditëve, një sërë personash janë ndaluar nga policia shqiptare për llogari të drejtësisë shqiptare.

Arrestimi i fundit, të enjten, më 12 prill, Ilir Hodaj, 38 vjeç nga Vlora, i kërkuar nga drejtësia italiane për kryerjen e disa veprave penale u arrestua nga Policia e qytetit bregdetar, ku për afro dy vjetësh ai qëndronte i fshehur.

38 vjeçari, në korrik të vitit 2010, është dënuar nga Gjykata Penale e Firences me 4,5 vjet heqje lirie, me akuzat e "pengmarrjes, shfrytëzim prostitucioni dhe armëmbajtjes pa leje". Prej atij viti ai ishte larguar nga Italia për t’u strehuar në qytetin e lindjes. Hodaj do të qëndrojë i izoluar në një nga qelitë e paraburgimit, në pritje të kryerjes së procedurave të ekstradimit drejt Italisë. 

Disa nga personat e arrestuar së fundi në Shqipëri: nga Altin Hoxha, sykaltri i arratisur nga burgu Regina Coeli i Romës, i kapur në fund të marsit në Vlorë, apo Ervin Ferhati, 32 vjeç, i dënuar me 20 vjet burgim nga Gjykata e Romës për veprat penale “Pastrim Parash”, “Trafik Narkotikësh” dhe “Shfrytëzim prostitucioni” i kapur në Tiranë, apo 48 vjeçari H. Kashta në Sukth të Durrësit i dënuar me 10 vjet e 8 muaj burg nga gjykata e Riminit, për abuzim seksual  me të bijën. Rasti më i bujshëm, arrestimi në Fier, i Fatmir Kajollit, 47 vjeç, i dënuar para shumë vitesh nga Gjykatat e Milanos e Romës me 40 vjet burg. Në Fier  kishte bërë ndërkohë karrierë si biznesmen ndërtimi, përfshirë edhe ndërtim rrugësh, me veprimtari politike dhe m e lidhje me disa ministra e politikanë të njohur në nivel lokal dhe qendror. Nga të gjithë, Kajolli (edhe pse i dënuar më shumë se të gjithë të tjerët) është i vetmi që, në pritje të procedurave të ekstradimit në Itali, është lënë në arrest shtëpie.