Arrestohet skafisti i 9 janarit 2004 i dënuar me 25 vjet nga gjykata e Vlorës - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Karabinierët kanë arrestuar Elton Tafilin të dënuar e të shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 10 vjetësh nga autoritetet shqiptare

Milano, 13 prill 2016 – E kanë arrestuar sot në Milano 38-vjeçarin Elton Tafili, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet shqiptare. Është dënuar që në vitin 2006 me 25 vjet burg sepse ishte një nga skafistët e ngjarjes së 9 janarit 2004 kur nga mbytja e anijes së nisur në drejtim të brigjeve puljeze humbën jetën 28 vetë.

Karabinierët e kanë gjetur rastësisht gjatë një kontrolli në sheshin Tirana (po pikërisht në sheshin Tirana) të Milanos.

Elton Tafili, u ka treguar pasaportën e një patentë greke për vërtetësinë e të cilave karabinierët patën dyshime. Pas një kontrolli më të thelluar u kuptua se dokumentet ishin të falsifikuara, ndërsa lejeqëndrimi, edhe ky grek, rezultoi se ishte i vjedhur.

Shenjat e gishtërinjve nxorën në dritë identitetin e vërtetë të burrit: bëhet fjalë për Elton Tafilin, që sipas gjykatës së Vlorës është një nga skafistët përgjegjës për tragjedinë  e 9 janarit 2004, ndër më të rëndat e kanalit të Otrantos, që i mori jetën 28 shqiptarëve, thuajse të gjithë nga veriu (u gjetën 20 trupa, 8 persona të tjerë janë deklaruar të humbur).

I arrestuari është mbyllur në San Vittore në pritje të kërkesës së ekstradimit nga autoritetet shqiptare.

Lexo edhe:
Tragjedia e 9 janarit, dhjetë vjet më pas

Arrestohet në Romë Altin Belulaj, një nga skafistët e tragjedisë së 9 janarit 2004