Bolonjë. Aksidenti rrugor i merr jetën 14vjeçares Isufi - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Një 38 vjeçare nuk frenon ndërsa Arsina Isufi me të motrën binjake po ktheheshin nga shkolla në shtëpi. I ati: Nuk ka dhimbje më të madhe se humbja e një fëmije. Erdha në Itali për të ardhmen e tyre, fati e desh të përjetoja këtë mynxyrë”

Arsina IsufiRomë, 29 shkurt 2016 – Një zi i rëndë ka pllakosur që të shtunën familjen shqiptare Isufi në Medicina, një fshat i Bolonjës, dhe ka tronditur banorët e komunitetin shqiptar në zonë.

Të shtunën Arsina Isufi 14 vjeç ka humbur jetën ndërsa kthehej nga shkolla në shtëpi në këmbë bashkë me motrën e saj injake. As 200 metra nga shtëpia një Opel Combo e ngarë nga një 38 vjeçare vendase e ka marrë përpara dhe e ka përplasur mbi asfalt para syve të tmerruar të binjakes. Banorët rreth vendngjarjes kanë kuptuar menjëherë gjendjen shumë kritike të vajzës dhe kanë lajmëruar menjëherë urgjencë. Në fillim ka arritur ambulance, më pas është parë e arsyeshme të sillej helikopteri për të dërguar vajzën në spitalin Maggiore të Bolonjës. por të gjitha qenë të kota, ajo ndërroi jetë atje brenda pak orëve.

Arsina jetonte në Medicina me familjen, babanë, nënën një vëlla e motrën binjake prej pesë vitesh. I ati, Xhaferr Isufi, ish sipërmarrës ndërtimi tani më shumë pa punë se me punë, është i shkatërruar nga dhimbja: Erdhëm në Itali për një jetë më të mirë – thotë – e shiko ç’më ndodhi, fati e desh të përjetoja këtë mynxyrë. I thashë asaj që më shtypi vajzën të mos më afrohej. Askush nuk e di ç’do të thotë për një baba të humbasë fëmijën. Drejtësia nuk ka ç’bën për mua e familjen time”.

Ngjarja ka tronditur fshatin qoftë për moshën e re të vajzës, qoftë për faktin se brenda dy ditëve aksidentet rrugore u kishin marrë jetën dy këmbësorëve.

Lexo edhe: Babai i Arsinës: “Nuk provoj mllef për asnjë, mendoj vetëm për vajzën që asgjë nuk ma kthen më”