Cologno Monzese. Keqtrajtonte prej vitesh të shoqen, arrestohet 32-vjeçari - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Edhe pse çifti shqiptar kishte një vajzë dyvjeçare, kjo nuk e kish penguar burrin të rrihte e keqtrajtonte të shoqen rregullisht. Madje edhe t’i nxirrte të dyja nga shtëpia kur duhet të sillte aty të dashurën e radhës

Romë, 2 gusht 2016 – Një situatë familjare e hidhur ka zënë sot faqet e mediave lokale të Lombardisë. Tregojnë historinë e tre vjetëve të fundit të një 27-vjeçareje shqiptare, nënë e një vogëlusheje që për tre vjetët e martesës është rrahur e keqtrajtuar nga i shoqi.

Kësaj situate i është dhënë fund dje pasdite kur karabinierët kanë arrestuar të shoqin e dhunshëm, edhe ai shqiptar, 32 vjeç.

Historinë duket se e ka nxerrë në dritë vetë gruaja kur rreth dhjetë ditë më parë, pas rrahjes së radhës, ka kërkuar ndërhyrjen e Ndihmës së Shpejtë. Përpara infermierëve e mjekëve që u kujdesën për të nuk tha gjysmë fjale për çka i ka ndodhur, por pasditen e 25 korrikut, me vajzën dyvjeçare në krahë, ka shkuar në kazermën e karabinierëve dhe ka paditur të shoqin.

U ka rrëfyer për një situatë familjare tejet të nderë. Nga fyerjet e rrahjet nga anë e të shoqit te kritikat e prindërve të burrit për faktin që nuk punonte e sipas tyre ishte barrë për familjen. E sikur këto të mos mjaftonin, gruaja ka treguar se i shoqi e detyronte të dilte nga shtëpia për të sjellë aty të dashurën e radhës.

Pas padisë, gruaja bashkë me vajzën është transferuar në një strukturë të mbrojtur, ndërsa karabinierët e Sesto San Giovannit pas një jave hetime, arrestuan dje, me akuzën e keqtrajtimeve në familje, të shoqin që është mbyllur në burgun e Monzas.