Corriere della Sera: “Evropa në kërkim të Eskobarit të Ballkanit” - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Historia e Kelmend Balilit sot është në faqet e të përditshmes Corriere della Sera që pa shumë lojëra fjalësh, që në nëntitull e quan atë “menaxher të Shtetit, njeri të besuar të Qeverisë shqiptare”
Ja ç’thotë artikulli i gazetës italiane, i shkruar nga gazetari Andrea Galli:

Ngarkesa e fundit e saposekuestruar në një gomone, 768,5 kg marihuanë në det të hapur para Greqisë, kishte për destinacion Salenton, e si pjesa më e madhe e drogës që mbërrin në brigjet italiane të Adriatikut, kishte si destinacion final Milanon, sepse këtu çmimi është i lartë, 700-800 euro për kg. Në krye të atyre që organizuan sjelljen e asaj ngarkese e të të dhjetëra të tjerave, është Kelmen Balili, ai që tashmë e quajnë “Eskobari i Ballkanit” e që e kërkon mbarë Evropa.

Kelmend Balili është një administrator shteti, një njeri i besuar i Qeverisë shqiptare që sërish ra në telashe të mëdha droge. Ditët e shkuara DEA, Agjencia federale anti-drogë amerikane, pati kritika të ashpra rreth shkallës së kompromentimit mes “aparatit” dhe trafikantëve. Në fund të fundit, akoma nuk është zgjiddhur as rasti i bujshëm i Dritan Zaganit, policit që me hetimet e tij kish mbërritur shumë pranë ministrit të Brendshëm shqiptar e që fillimisht u burgos e më pas “u detyrua” t’ia mbathë jashtë shtetit, prej frikës (jo të kotë) së një vizite të ndonjë vrasësi, një prej të shumtëve “ujq të vetmuar”, me urdhrin për ta hequr qafe. Zagani ka bashkëpunuar me Financën, në rresht të parë në beteja e rezultate në luftën ndaj tregtarëve të drogës. Tani, ndjekja e Balilit mund të çojë në skenarë të rinj që “do të nxirrnin sërish në skenë” vetë Zaganin e do të lidhnin akoma më shumë Shqipërinë me Italinë.

Menaxheri i Shtetit shqiptar, tregojnë burimet e inteligjencës, është parë gjatë viteve në Milano qoftë për takime zyrtare dhe prestigjioze, "pasojë" e profesionit të tij, qoftë për bisedime “joformale" me bashkatdhetarët që lëvizin në mes të Milanos dhe provincës. Klanet shqiptare të drogës, thonë nga Karabinierët, janë shumë aktive në zonën e Abbiategrasso-s. Nuk ushtrojnë një kontroll të mirëfilltë territorial, por janë në pozita të mira. Dinë të lëvizin dhe kanë një 'rrjet' efikas. Edhe në provincën e Pavias kanë një prani të madhe. Sipas aktakuzës Balili, që nga Milanoja i pëlqenin ndalesat në Galleri, dyqanet e Corso Vercelli dhe "bastet" mes Porta Venecias e Piazza della Repubblica, dhe që mund të jetë fshehur në Greqi, shfrytëzonte rolin institucional për të lëvizur drogën e për të ditur lëvizjet e gjykatësve dhe policëve. Që ka diçka që nuk funksionon në drejtësinë shqiptare e dinë të gjithë: kriminelë që janë duke u arrestuar nga hetuesit e huaj, lajmërohen në kohë e humbasin gjurmët e tyre. E konsideruar nga shumëkush si "Kolumbi e Evropës" për prodhimin e drogës, për "rafineritë" dhe klanet që bëjnë miliona me drogë, Shqipëria ka një luftë të ashpër mes shërbimeve sekrete dhe qeverisë. Të parët akuzojnë këtë të fundit se autorizon përgjime të paligjshme, falë instrumenteve të prodhuara nga një kompani italiane, lider në sektor dhe furnizuese e Prokurorive. Kompania duhet të ketë përfituar nga kanale të veçanta për të fituar tregun shqiptar: duhet të ketë kaluar përmes përmes trupit diplomatik italian dhe, në veçanti, ish zyrës së agjentes së policisë Anna Poggi. Nëse këto janë rezultat i një gënjeshtra, fryt i një fushate helmesh apo e vërteta, këtë mund ta vendosin vetëm hetimet e mëtejshme.

Ish zyra në Tiranë, mund të ketë marrëdhënie për “lidhje familjare” pikërisht me atë kompani italiane. Sa për Anna Poggin, gjatë G8 në Genova ishte përgjegjëse e zyrës për ngjarjet në kazermën Bolzaneto ku u kryen arrestime të paligjshme dhe u ushtrua dhunë kundër manifestuesve. Megjithatë, dënimi në Gjykatën e Kasacionit nuk ia pengoi karrierën. U ngrit në detyrë dhe u vu në përfaqësinë investigative e diplomatike në Shqipëri dhe u emërua shefe e koordinimit interforcë i lidhur me Interpolin. Kur plasi rasti i Zaganit, ministria e Brendshme italiane çuditërisht  e hoqi Anna Poggin që aty. E gjithë historia lë pas disa pyetje: a dinte gjë e, nëse po, çfarë dinte për Dritan Zaganin, cilat ishin marrëdhëniet e saj me Tiranën, çfarë mban kaq “afër” politikanët shqiptarë të planit të parë me disa funksionarë italianë. Këto pyetje mund të sjellin zhvillime të reja investigative dhe të nxjerrin në dritë praninë e një sistemi të ndërlikuar. E gjithë kjo ndërsa droga vazhdon të kalojë: nga Shqipëria, ndonjëherë pas një ndalese në brigjet greke, lëviz drejt Italisë e ngjitet drejt Milanosme kamionë.

Artikulli në origjinal: Droga, la grande caccia in Europa all’«Escobar dei Balcani»