Crema. Identifikohet pirati i rrugës që i mori jetën 25-vjeçares Besarta Beqiraj - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Shkaktoi aksident, i mori jetën një gruaje të re, nuk ndaloi t'i jepte ndihmë. Një kriminel jokomunitar  apo një i ri i paskrupullt? Jo një "burrë i mirë" vendali, 62 vjeç

Personi që më 8 mars shtypi e nuk ndaloi të ndihmonte të renë Besarda Beqiraj tashmë ka emër e mbiemër. Është një vendas 62 vjeç, emri i të cilit nuk bëhet i ditur jepen vetëm inicialet: R.N.

Duhet të përgjigjet për vrasje nga pakujdesia, mosdhënie të ndihmës së shpejtë dhe largim nga vendngjarja.

Policia rrugore arriti te R.N. – që e ka pranuar autorësinë e aksidentit rrugor -  falë disa copave të vogla të karrocerisë që u gjetën më 8 mars mbi asfalt menjëherë pas aksidentit. Nga ato copëza u mundësua dallimi i modelit të makinës, një Fiat Punto e zezë e vitit 2005, dhe u kontrolluan rreth 2000 të tilla.

Besarda Beqiraj po shëtiste me të shoqin mbrëmjen e 8 marsit kur një makinë e mori përpara dhe e la në asfalt gjendje të rëndë. Kush ngiste makinën në vend që të ndalonte për të verifikuar gjendjen e gruas së re, ia mbath në drejtim të Lodit.

Beqiraj u çua fillimisht në Repartin e Ndihmës së Shpejtë në Crema, e meqë gjendja e saj ishte tepër e rëndë u transferua menjëherë në Bergamo. Por edhe këtu nuk mundi të jetojë as 48 orë: ndërroi jetë pasditen e dhjetë marsit në repartin e Terapisë intensive.

R.N. rrezikon një dënim me vetëm nga 1 deri në 3 vjet burg, pezullimin e patentës nga 18 muaj deri në pesë vjet si edhe sekuestrimin e automjetit, nëse e gjejnë, pasi burri ka denoncuar para disa ditëve se ia kanë vjedhur.