Drogë në Itali nga Shqipëria e Holanda. 13 arrestime - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Janë sekuestruar drogë, armë, para dhe makina

Romë, 6 prill 2016 – Me një operacion të përbashkët në orët e parat ë mëngjesit, Karabinierët në Sardenjë e në Veri e Qendër të Italisë kanë vënë në pranga 13 persona, italianë, shqiptarë e rumunë, anëtarë të një organizate kriminale që merrej me trafikun ndërkombëtar të drogës mes Shqipërisë, Holandës dhe Italisë.

Në operacionin e sotëm janë angazhuar rreth 100 karabinierë në Sassari, Nuoro, Olbia, Pistoia, Brescia, Pordenone, Romë, Bergamo dhe Venecia.

Hetimet e nisura në verën e vitit 2013, kanë çuar në zbulimin e një grupi prej 23 personash, 6 prej të cilëve janë në burg prej kohësh, 13 u arrestuan sot (12 në burg e një në arrest shtëpie) dhe për 4 të tjerë është kërkuar bashkëpunim me organe të drejtësisë së Shteteve të tjera.

Organizatës kriminale i janë sekuestruar 18 kg kokainë, 4 kg heroinë dhe 1 kg marihuana, që po të hidhej në treg do të kishte një vlerë prej rreth 2 milinë eurosh, si edhe armë, 30 mijë euro në të holla dhe disa vetura.