Dy aksidente rrugore në 24 orë. Vdesin tetë të rinj - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Janë dy 19-vjeçarë dhe një 20-vjeçar viktimat e aksidentit të sotëm rrugor në provincën e Pordenones. Në Padova, pesë të rinj të tjerë, nga 18 deri në 30 vjeç, kanë rënë me makinën e tyre në kanal dhe janë mbytur. Tre shqiptarë në dy aksidentet

Romë, 25 mars 2012 – Rreth orës 5 së mëngjesit makina Golf me të cilën udhëtonin tre të rinj, dy shqiptarë e një italiane, më i madhi prej të cilëve vetëm 20 vjeç, ka dalë nga rruga e është përplasur pas një muri duke shkaktuar vdekjen e të treve. Djali që i jepte makinës, Ramazan Koni, 20 vjeç dhe Eriseldo Gjini, 19 vjeç, që të dy rezidentë në Prata të Pordenones, kanë vdekur në vend. Vajza Sandy Gorgato, 19 vjeç, nga Villotta di Chions, provinca e Pordenones ka vdekur sapo është dërguar në spital.

 Aksidenti ka ndodhur në rrugën kombëtare 13, Pontebbana në komunën Orcenico në provincën e Pordenones.

Vetëm një ditë më parë, në Padova, një Mercedes me pesë vetë, përfundoi në kanal. U mbytën që të gjithë, tre djem e dy vajza, kosovari Mërgim Kerellaj, 20 vjeç, rezident në Torri di Quartesolo, provinca e Vicenzas, një maroken 30 vjeç, dy vajza rumune 18 dhe 22 vjeç, dhe një boshnjak, 21 vjeç. Ishin që të gjithë kolegë pune e punonin në një ndërmarrje për shpërndarjen e gazit, Gascom.