Ekstradohen nga Shqipëria në Itali tre persona të kërkuar për trafik droge - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Të arrestuar pak ditë më parë në Durrës, janë ekstraduar dje për në Itali Sami Osmani, Naxhije Osmani dhe Enkeleida Tonuzi të dënuar në Itali në mungesë me disa vjet heqje lirie për trafikim droge

Tiranë, 9 mars 2012 – Interpol Tirana ka ekstraduar në Itali, tre shtetas, të cilët ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik narkotikësh dhe që pak ditë më parë ishin arrestuar në Durrës prej policisë shqiptare në bashkëpunim me Karabinierët e Bolzanos.

Zyra e Interpol Tiranës ekstradoi të enjten në Itali, shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar: Enkeleida Tonuzi, 33  vjeç,  Naxhije Osmani 55 vjeç dhe  Sami Osmani 60  vjeç nga Durrësi, të cilët Gjykata e Bolzanos, i ka dënuar ata me burgim për veprën  penale të “Trafikut të narkotikëve”.

Ata janë deklaruar fajtorë, pasi, gjatë periudhës nëntor 2003 - mars 2004, në Bolzano, Itali, kanë qenë pjesë e një grupi kriminal të organizuar, që trafikonte heroinë dhe kokainë nga Shqipëria drejt Italisë. Sipas gjykatës, detyra e tyre ishte mbështetja logjistike, transporti, ruajtja dhe mbajtja e llogarive të grupit.