Ekstradohet nga Greqia në Itali shqiptari i "Audit të Verdhë" - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Në janar, bashkë me dy të tjerë, kishte terrorizuar Verilindjen e Italisë me grabitje të dhunshme

Është ekstraduar dje në Itali 36 vjeçari Vasil Rama apo Lulëzim, Luli, Lulzim, Lulizim Rama, që janë emrat me të cilët e kanë njohur në të shkuarën forcat e rendit në Itali. Është shqiptari "i famshëm" si shoferi i Audit të verdhë që muaj më parë tmerroi provincën në Verilindje të Italisë e që arriti t’i shpëtonte policisë. Arrestimi i tij u bë i mundur vetëm në fillim të muajit shtator, në Greqi.

Rama ishte shoferi i Audit të verdhë me targa zvicerane me të cilën ai e dy të tjerë kanë kryer disa grabitje të dhunshme në janar e u kanë shpëtuar ndjekjeve të forcave të rendit duke ecur si të çmendur me mbi 250 km/h, duke thyer postblloqe e duke përshkuar kilometra të tërë në autostradë në drejtim të kundërt.

Në shtator, Karabinierët e Venecias, në bashkëpunim me personelin e Shërbimit të Kooperimit ndërkombëtar të Policisë, e gjetën dhe i vunë hekurat në Greqi. Me të mbyllur procedurat e nevojshme, dje pasdite u hip në një avion në Athinë e mbërriti në Milano.