Ekstradohet nga Italia 34-vjeçari Dervishi i dënuar për vrasje - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Është arrestuar në Rimini, më 13 tetor të vitit të shkuar, i shumëkërkuari Kastriot Dervishi. Beratasi 34-vjeçar duhet të vuajë 25 vjet burg për vrasjen e dy personave në Shqipëri

Tiranë, 6 mars 2012 –Është ekstraduar nga Italia 34-vjecari Kastriot Dervishi i shpallur në kërkim ndërkombëtar pas dënimit në mungesë me 25 vite burg për vrasje. Vendimi ishte dhënë nga gjykata e Beratit në maj të vitit 2001, për vrasje me paramendim të dy personave.

Në vitin 1997, Dervishi ka vrarë Ali D. dhe të birin,  Ardian D, pasi ata pengonin martesën e tij me vajzën dhe motrën e tyre, duke menduar se ai do ta trafikonte për ta shfrytëzuar për prostitucion. Për këtë ngjarje ai është dënuar fillimisht nga gjykata e Beratit e më pas nga gjykata e Apelit e Vlorës me 25 vjet burg, me akuzat e vrasjes dhe të mbajtjes së armëve pa leje.

Nga ajo ngjarje duket se Dervishi ka jetuar kryesisht në Itali: Romë, Sassari e Rimini. Nga ky i fundit është dëbuar në vitin 2006 por ka arritur të kthehet shpejt.

Me emër të rremë, jetë të thjeshtë e punë në të zezë, ka arritur t’i shpëtojë drejtësisë shqiptare për 14 vjet. Kastriot Dervishi, 33 vjeç , është arrestuar më 13 tetor në shtëpinë e tij në qendër të Riminit, ku jetonte bashkë me të shoqen dhe djalin 12 vjeç nga agjentët e policisë së qytetit.