Ekstradohet nga Milano në Tiranë 47 vjeçari Gani Hysi. Akuzohet për vrasje - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Emigrant në provincën e Lodit, korrikun e shkuar ka vrarë në Sarandë një 32-vjeçar për motive të dobëta. I shpallur në kërkim, u kap menjëherë nga karabinierët e Lodit, por u deshën disa muaj që të realizohej ekstradimi i tij

Tiranë, 19 prill 2016 - Zyra Qendrore Interpol Tirana ka sjellë nga Milano qytetarin Gani Hysa, 47 vjeç, nga Kurbini, por rezident në Sant’Angelo të provincës së Lodit. Gjykata e Sarandës, me vendimin datë 17.07.2015, kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg“, për kryerjen e veprave penale të vrasjes me paramendim të kryer në bashkëpunim, për prodhim e mbajtje pa leje të armëve e municioneve luftarake.

Ai akuzohet të ketë vrarë në Sarandë, më 10 korrik të vitit të shkuar, një 32 vjeçar, Edmond Theodhori, vetëm pse ky i fundit kishte thënë disa fjalë të rënda një vajze në shoqërinë e Hysës. Nga fjalët shpejt ishte kaluar te duart, shkopinjtë e armët: 32-vjeçari u masakrua nga Hysa e pesë të tjerë meshkopinj e më pas u ekzekutua me disa plumba. Gjithçka u filmua nga telekamerat e pikës së larjes së makinave ku ndodhi vrasja, ndaj policia arriti menjëherë të zbulonte gjashtë personat. Tre u arrestuan menjëherë, tre të tjerët arritën të zhduken. Ndër këta të fundit, Gani Hysa që u kthye menjëherë në shtëpinë e tij në provincën e Lodit, por ndërkaq organet e drejtësisë shqiptare e kishin shpallur në kërkim ndërkombëter. Karabinierët e Lodit e kapën brenda pak ditëve, në shtëpi të tij dhe e mbyllën në burgun e Lodit në pritje të kryerjes së procedurave të nevojshme për ekstradim.

U deshën plot nëntë muaj, por më në fund u ekstradua.