Fatmir Gashi, i arratisuri i fundit nga burgjet italiane - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Një 25-vjeçar nga Kosova është protagonisti i arratisjes së fundit nga burgjet italiane. Të dielën ia ka dalë të arratiset nga burgu Canton Mombello i Brescias, në kullat e kontrollit të të cilit në atë çast nuk kishte asnjë rojë, për shkak të shkurtimeve të personelit

Romë, 27 shkurt 2012 – Ndërsa në burgun Regina Coeli të Romës ende nuk është kthyer, Altin Hoxha, i arratisur më 14 janar, një tjetër shqiptar bëhet protagonist i arratisjes së djeshme nga burgu Canton Mombello i Brescias.

Quhet Fatmir Gashi, 25-vjeçar nga Kosova, i arratisuri i djeshëm nga burgu i Brescias në qendër të qytetit. Në burg për grabitje duhej të dilte nga burgu në vitin 2016, por rreth orës 10 të së dielës, ka provuar (me sukses) “të shkurtojë dënimin e tij”. I kanë mjaftuar një litar, shkathtësia e tij dhe mungesa e rojeve në çastin e zgjedhur për t’ia mbathur, dhe ia ka dalë mbanë. Bashkë me të kanë provuar edhe dy të tjerë, por këta janë bllokuar nga policia e burgut para se të kapërcejnë murin rrethues e të dalin në rrugë.

Kosovari konsiderohej person i qetë, në burg punonte në kuzhinë, dhe ishte relativisht i lirë të lëvizte në brendësi të burgut.

Rreth orës 10 ka dalë në oborr duke shtyrë një karrocë dore me bidonë që duhet të zbrazte, gjë që duhet të bënte i shoqëruar nga rojet. Në të vërtetë shoqërohej vetëm nga dy të burgosur të tjerë të fshehur në bidonë që dëshironin të arratiseshin bashkë me të. Për shkak të shkurtimeve të personelit, asnjë agjent nuk ka mundur të shoqëronte Gashin për derdhjen e plehrave, e për më tepër, në atë çast asnjë agjent nuk ka qenë as në kullën e kontrollit të oborrit.

E ndërsa në burg hapen hetime të brendshme, kërkimet e të arratisurit deri tani nuk kanë dhënë asnjë rezultat.

Lexo edhe:
 
Arkiv 'Bota Shqiptare':
Zogu dhe kafazi, prill 2005