Firence. Ther të shoqen në shtëpi, në prani të fëmijëve. Arrestohet - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Policia lajmërohet nga i biri 15-vjeçar i çiftit shqiptar

Romë, 16 prill 2012 – Zihet me të shoqen dhe e godet disa herë me një thikë kuzhine. Protagonist i ngjarjes që ka ndodhur dje pasdite në rrugën Isonzo të Firences, një shqiptar 41 vjeç, pa probleme të mëparshme me drejtësinë i arrestuar për tentativë vrasjeje. E shoqja, shqiptare edhe ajo 40 vjeç, është çuar në spital me plagë në grykë, bark dhe këmbë dhe i është nënshtruar një operacioni.

Duket se policia është lajmëruar nga djali 15 vjeçar i çiftit që ashtu si vëllai 5 vjeç ndodhej në shtëpi kur i ati është vërsulur me thikë kundër të shoqes.

Sipas informacioneve të para të mbledhura nga e përditshmja La nazione, 41-vjeçari ka therur të shoqen sepse kjo kohët e fundit po përpiqej ta linte dhe se e qortonte për faktin që i shoqi nuk po gjente punë. Pikërisht dje gruaja u ka shpjeguar fëmijëve se dëshironte të nisej për në Shqipëri. Sipas ndërtimit të ngjarjes, dje pasdite kur i shoqi ka hyrë në shtëpi, ka nxjerrë fëmijët nga dhoma e gjumit ku ishin me të ëmën, ka hapur një baule ka nxjerrë prej andej një thikë dhe i është vërsulur të shoqes duke e goditur disa herë. Djali i madh me të dëgjuar britmat e të ëmës ka marrë në telefon policinë.

Kur agjentët kanë mbërritur në shtëpi kanë gjetur burrin duke pastruar thikën në kuzhinë ndërsa gruan në agoni mbi shtrat.

Aktualisht gruaja është ende e shtruar por nuk rrezikon jetën, ndërsa i shoqi në burg.