Fiton 270 mijë euro me video-lotari - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Në një sallë lojërash fati të Montecatinit, një i ri shqiptar ka plot 270 mijë euro duke gjetur numrat e duhur të jackpot-it kombëtar me anë të një video-lotarie

Romë 13 shkurt 2012 – Shumë marramendëse ajo që një i ri shqiptar ka fituar në sallën Bingo Regina të Montecatinit në Toskanë. Plot 270 mijë euro që shqiptari do të marrë drejtpërdrejt nga Sisal brenda pak ditëve. Lajmin e jep edicioni on-line i të përditshmes ‘La Nazione’.

Video-lotaritë lejojnë të fitohen deri në 50 mijë euro që është edhe jackpot-i i Montecatinit , ose deri në 500 mijë euro falë jackpot-it kombëtar. Mjaft të fusësh monetar në makinën e lojërave për të qenë ndoshta një nga fatlumët. Salla Bingo Regina është e vetmja ku luhet kjo lojë në mbarë Pistoiën.

Ky është i dyti rast në Toskanë brenda pak muajve që ka si fitues të lojërave të fatit një shqiptar. Tetorin e shkuar Blerim Kokomani, një i ri durrsak në Siena, fitoi një veturë Fiat dhe 21 mijë euro duke lozur poker. por nga ana tjetër nuk janë të pakta rastet kur njerëzit u kanë dhënë fund kursimeve të tyre me lojërat e fatit, si në rastin e Alfons Dashajt në Varese që la në makinetat e lojërave të gjithë shumën me të cilën duhet të paguante qiranë e shtëpisë.