I akuzuar për violencë seksuale për një të puthur, gjykata e nxjerr të pafajshëm - Shqiptari i Italisë

Kronikë

U mbyll dje procesi ndaj një të riu shqiptar në Genova që akuzohej për dhunë seksuale se i kish marrë një të puthur me zor një fqinjë. Për gjykatën është i pafajshëm sepse fakti nuk ekziston

Genova, 29 mars 2012 – Akuzohej për dhunë seksuale sepse kish puthur një 20 vjeçare në buzë. Dje punëtori shqiptar 26 vjeç u njoh i pafajshëm sepse fakti nuk ekziston. Prokuroria kishte kërkuar dy vjet heqje lirie, gjë që sentenca e hodhi poshtë për mungesë provash.

Ngjarja është e tetorit 2010, por 26-vjeçari shqiptar ka mohuar gjithnjë versionin e akuzueses. Sipas tij, kishte qenë mik të kunati kur ishte zgjuar natën nga zëri i lartë i fqinjës në katin e mësipërm. Ishte ngritur dhe i kishte trokitur në derë për t’i kërkuar të mos bërtiste sepse të nesërmen duhej të ngrihej herët e të shkonte në punë. Ka thënë gjithnjë që nuk kishte hyrë në shtëpi të saj e nuk e kishte puthur.

Krejt ndryshe versioni i vajzës. Sipas saj, që ishte duke u zënë me të fejuarin në telefon, kur kishte dëgjuar që i binin me insistim derës së shtëpisë kishte shkuar ta hapte. 26-vjeçari, që ajo nuk e njihte, i kishte hyrë në shtëpi, madje i kishte kërkuar edhe numrin e telefonit por ajo nuk ia kish dhënë. Ndërkaq kisshte marrë sërish në telefon të fejuarin për t’i thënë që të kthehej e ndërsa po e nxirrte shqiptarin nga apartamenti i saj, ky e kishte puthur në buzë.