I arratisur dy herë nga burgu, Valentin Frrokaj vritet nga i zoti i vilës që donte të vidhte - Shqiptari i Italisë

Kronikë

37 vjeçari ishte dënuar me burgim të përjetshëm por ishte arratisur nga burgu në maj 2014

Romë, 25 nëntor 2015 - Një rast pak a shumë i ngjashëm me atë të pak javëve më parë ku mbeti i vrarë Gjergj Gjoni, ka ndodhur mbrëmë gjithnjë në provincën e Milanos.

Këtë herë tre persona kishin shkuar në vilën e një tregtari, Rodolfo Corazzo, që jeton në Rodano me gruan e vajzën. Gjatë një shkëmbimi zjarri mes dhe të zotit të shtëpisë dhe hajdutëve ka mbetur i vrarë njëri prej këtyre të fundit e të tjerët ia kanë mbathur.

Sot në mëngjes mësohet edhe emri i viktimës: është 37-vjeçari i shumëkërkuar, Valentin Frrokaj, për të cilin shpesh është shkruar në media. Jo vetëm për faktin që ishte i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje por për dy arratisjet nga burgu. E fundit, në maj të vitit të shkuar nga burgu Pagliarelli i Palermos. Në shkurt të 2013-tës ishte arratisur nga burgu i Parmës bashkë me Taulant Tomën. Të dyja arratisjet janë si në filma: sharrojnë hekurat e qelisë dhe zbresin murin me “litarin” e sajuar duke lidhur çarçafët. Frrokaj ishte dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Llahos në vitin 2007 në Brescia.

Lexo edhe: Prokuroria për tregtarin që vrau Frrokajn: “Vetëmbrojtje e ligjshme”

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)