I dënuar në Shqipëri, arrestohet në Firence me identitet të ri - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Në Shqipëri është dënuar 16 vjet më parë si Besnik Zykaj, kapet në Firence para dy ditëve si Dino Binaj

Romë, 18 shkurt 2012 - Është arrestuar të enjten në Firenze Besnik Zykaj, 49 vjeç, i kërkuar prej vitesh nga Interpol sepse duhet të vuaj dënim të përjetshëm që i është dhënë nga gjykata e Shkodrës.

Zykaj është dënuar për një vrasje që ka ndodhur në vitin 1994 kur ai ka qenë me detyrë Komandant i Postës Kufitare të Velipojës dhe, gjatë tentativës së dy të rinjve për të kaluar ilegalisht kufirin, ai ka qëlluar duke i vrarë të dy. Për këtë ngjarje është dënuar nga gjykata e Shkodrës në vitin 1996 me burgim të përjetshëm por në vitin 2008 është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Është arrestuar më në fund më 16 shkurt në Firence, ku jetonte prej vitesh por me një identitet të ri, Dino Binaj. Është kapur teksa ishte në Zyrën e Imigracionit të kuesturës ku kishte shkuar për të përditësuar lejen e qëndrimit.

Verifikimet e policisë italiane të kryqëzuara me informacionet e dhëna nga ajo shqiptare kanë bërë të mundur zbulimin e identitetit të vërtetë të personit që në Itali prej vitesh jetonte me identitetin e ri. Në pritje të riatdhesimit të tij në Shqipëri është mbyllur në burgun e Solliccianos.

Ndërrimi i emrit, apo sigurimi i dokumenteve të rreme shqiptare, që sipas policisë italiane konsiderohet si diçka shumë e lehtë në Shqipëri, është ngritur shpesh në Itali. Nuk janë të pakta rastet e kapjeve të shqiptarëve të kërkuar në një prej dy vendeve të kapur në tjetrin me një identitet tjetër.