I dënuar për vrasje në Shqipëri, arrestohet në Monza pas 19 vjetësh - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Arben Dodaj, 43 vjeç, kërkohej prej vitesh në mbarë Evropën, jetonte i qetë në Lombardi me emrin e rremë Hekuran Çelaj

Romë, 24 tetor 2016 – Një i kërkuar 44-vjeçar shqiptar është arrestuar nga policia italiane në Monza. Kishte arritur të zhdukej pa lënë gjurmë edhe pse kërkohej në të gjithë Evropën sepse akuzohet, madje edhe është dënuar me 22 vjet burg, për vrasjen me paramendim të një të riu bashkatdhetar, ngjarje që ka ndodhur në Shqipëri në vitin 1997. Është fjala për Arben Dodajn që pas vrasjes duket se ka ardhur në Itali ku ka ndërtuar një jetë të re me identitetin e rremë Hekuran Çelaj.

Sipas mediave italiane,  policia e Monzas, që ka pasur një sinjalizim nga Drejtoria qendrore e policisë kriminale, zyrë për kooperimin ndërkombëtar të policisë, e ka arrestuar në Usmate Velate të Monzas duke i dhënë fund arratisë thuajse 20 vjeçare të Arben Dodajt.

Sipas Corriere della Sera, pas vrasjes Dodaj, me një identitet të ri, është vendosur në Lombardi pranë të vëllait. Policia e ka individualizuar pasi ka bërë një kontroll të të gjithë shqiptarëve rezidentë në Usmate Velate, dike arritur të pikasë të dashurën (dhe nënën e dy fëmijëve të tij), falë një numri telefoni që përdorte ajo por që rezultonte në emër të të vëllait të Dodajt. Gruaja, e pamartua asnjëherë, në certifikatat e lindjes të fëmijëve kishte deklaruar “babai i panjohur”, që kishte shtyrë policinë ta përgjonin. Kështu, javën e shkuar kanë ndaluar Arben Dodajn teksa hynte në shtëpi dhe e kanë arrestuar.