Katër persona në gjyq për aksidentin në punë që la të paralizuar Shaban Hasajn - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Më 4 shtator 2008 në lokalitetin Maschio të Savonës Shaban Hasaj, sot 39 vjeç, ra nga katër metra lartësi teksa punonte në kantier. Nga ajo ditë ka mbetur i paralizuar. Hidhen në gjyq drejtuesit të ndërmarrjes për të cilën punonte pasi shkak i aksidentit ishte një skelë e vjetër që sipas organit të akuzës duhej të ishte ndërruar

Romë, 6 shkurt 2012 – Më 4 shtator 2008 Shaban Hasaj 39 vjeç ra nga një tarracë shtëpie në ristrukturim në lokalitetin Maschio të Savonës. I mbajtur për disa ditë në koma farmakologjike në repartin e rianimimit të spitalit të Santa Corona të Pietra Ligure-s, Hasaj u zgjua, por për shkak të lëndimeve të rënda nuk u ngrit më në këmbë.

Pas hetimesh të gjata, për këtë ngjarje, prokuroria e Savonës kërkoi hedhjen në gjyq të punëdhënësit Mario Musso, drejtuesit të ndërmarrjes Maurizio Briano, drejtuesit të punimeve Franco Rocciola dhe të atij që i kishte dhënë punën ndërmarrjes Salvatore Gozza. Sipas akuzës punëtori kishte rënë pasi parmaku i skelës, i vjetër e për t’u ndërruar, ishte thyer papritur. Të pandehurit akuzohen për bashkëpunim në shkaktimin e lëndimeve shumë të rënda sepse nuk kanë marrë masat e nevojshme për të parandaluar aksidentin në punë. Punëdhënësi duhet të përgjigjet edhe për akuzën e punësimit në të zezë të një punëtori me qëndrim të parregullt në Itali. Për këtë akuzë Musso ishte justifikuar duke thënë se punëtori kishte vajtur në kantier vetëm për të marrë disa mjete pune dhe jo për të punuar.

Nga verifikimet e bëra menjëherë pas aksidentit lindën dy pikëpyetje. Së pari nuk kuptohej se ç’bënte aty muratori shqiptar, kur sipas projektuesit dhe drejtorit të punimeve Franco Rocciola, “kantieri duhet të ishte pezulluar”. Dhe së dyti ç’marrëdhënie kishte Hasaj me ndërmarrjen Co.Ed të Mario Mussos, pasi nga dokumentet nuk rezultonte të ishte i punësuar.

Seanca e ardhshme gjyqësore do të mbahet në 14 maj.