Lecce. Sekuestrohen 6 kg kokainë, arrestohet një 23-vjeçar - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Droga u gjet e fshehur në një kamion që sapo kishte mbërritur me traget nga Vlora në Brindisi 

Romë, 16 shkurt 2014 – Financierët e Lecces kanë arrestuar të shtunën (15 shkurt) një djalë shqiptar 23 vjeç sepse në kamionin që ai ngiste u gjetën 6 kg kokainë e pastër.

Ata kanë pikasur kamionin që në dalje të portit të Brindisit, qoftë për shkak të sjelljes gjithë nervozizëm të shoferit të ri, qoftë për targat që mbante automjeti i madh: kabina e shoferit targa shqiptare, rimorkioja targa holandeze. Kur kanë kontrolluar me imtësi mjetin, financierët kanë gjetur në rimorkio, veç një vinçi të vogël ndërtimi e disa gomave makinash, edhe bateri makine jofunksionale në brendësi ë të cilës ishin fshehur 4 pako me 4,2 kg kokainë.

Shoferi e kamioni janë shoqëruar në Lecce e këtu, me ndihmën e qenve antidrogë, janë zbuluar edhe dy pako të tjera me 1,8 kg kokainë, këtë radhë në kabinën e shoferit.

Financierët kanë sekuestruar kamionin, disa telefona celularë, dokumente të ndryshme dhe kanë arrestuar të riun që rezulton të mos ketë pasur më parë probleme me drejtësinë. Ndërkaq kanë nisur hetimet për të zbuluar nga është nisur e ku ishte drejtuar sasia e drogës, që e hedhur në treg, mund të sillte fitime për 3 milionë euro. 

(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)

Advertisement