Lecce. Trafiku i drogës, biznes familjar. Atë e bir në burg - Shqiptari i Italisë

Kronikë
I biri u gjet me disa kg marihuanë të fshehur mes perimeve që shiste, i ati mes dyshekëve kishte plot 120 kg. në dy javë arrestohen Skerdian dhe Agim Meçaj

Romë, 10 mars 2016 – Skerdian Meçaj nga Vlora, shitës ambulant fruta-perimesh, u kap dy javë më parë në Lecce me rreth 9 kg marihuanë. Një pjesë e mirë ishte fshehur mes arkave me zarzavate.

Nuk kaloi shumë e të martën e shkuar (8 mars), u arrestua edhe i ati Agim Meçaj, 52 vjeç. Ishte me furgonin e tij rrugëve të Lecces e mes dyshekëve e batanijeve që transportonte iu gjetën plot 120 kg marihuanë të ndara në 5 pako me vlerë rreth 270 mijë euro.

Meçaj senior, me precedentë, u arrestua nga të njëjtët policë që, me rastin e arrestimit të të birit e kishin parë kur i kishin shkuar në shtëpi për kontroll. Të martën, agjentët e dalluan fytyrën e tij teksa ngiste të njëjtin furgon që kishte i biri kur u arrestua, dhe vendosën ta ndalonin për kontroll. Nga dyshekët dolën pakot e drogës dhe u kuptua që edhe i ati po bënte të njëjtin “zanat” të të birit.

Kështu edhe 52 vjeçari u shoqërua në burg ndërsa automjeti me gjithë ç’u gjet brenda u sekuestrua.