Lënë gjurmë në borë, arrestohen dy hajdutët - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Karabinierët e Caravaggios ndjekin gjurmët në dëborën e freskët që vinin nga një vilë dhe çonin  në një tjetër vilë. Në këtë të dytën, arrestojnë dy të rinj shqiptarë që përpiqeshin të thyenin bravën e portës së hyrjes

Romë, 11 shkurt 2012 – Karabinierët e Caravaggios në provincën e Bergamos, kanë arrestuar dy shqiptarë 22 dhe 28 vjeç, që të dy me precedentë penalë, për vjedhje, tentativë vjedhjeje, rezistencë  ndaj zyrtarëve të shtetit, dhe mbajtje të pajustifikuar mjetesh për thyerje bravash.

Ngjarja ka ndodhur në Arzago d’Adda, kur karabinierët gjatë një kontrolli të zakonshëm të territorit natën, kanë vënë re gjurmë mbi borën e freskët në afërsi të një vile. Duke i ndjekur kanë mbërritur në një shtëpi tjetër ku dy të rinj me kaçavida e turjelë dore përpiqeshin të hapnin derën.

Me të parë karabinierët dy të rinjtë ia kanë mbathur dhe janë fshihur pas disa shkurreve, por gjithnjë falë gjurmëve që linin në borë, janë gjetur nga forcat e rendit. Janë përpjekur të shtyjnë e të përpiqen të largohen sërish por pa ia dalë. Nga një kontroll i shpejtë, karabinierët u kanë gjetur një celular dhe një shumë parash që kishin vjedhur në vilën e parë si edhe mjete për shpërthimin e dyerve. Janë çuar në burg në pritje të gjykimit të lënë për në datë 16 shkurt.