Mbi 100 vjedhje në veri të Italisë, arrestohen 10 vetë, në kërkim 10 të tjerë - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Operacioni i karabinierëve të Trentos shpartallon bandën shqiptare të vjedhjeve

Romë, 30 qershor 2016 – Gjithsej 114 vjedhje në banesa në veri të Italisë gjatë periudhës së festave të fundvitit të shkuar janë shkaku i akuzimit të njëzet personave për shoqatë keqbërëse me qëllim vjedhjen në vendbanime private, të gjithë shqiptarë me përjashtim të një egjiptiani, janë thuajse të gjithë nën 30 vjeç e jetonin, një pjesë në Trentino dhe provincën e Milanos, ndërsa disa të tjerë, “krahu i punës”, në Shqipëri prej nga vinin për të kryer vjedhjet e për t’u kthyer menjëherë mbrapsht.

Sipas akuzës, 52 nga vjedhjet janë bërë në Trentino, 14 në Alto Adige e 48 në provincat e Milanos, Bergamos, Brescias, Parmës, Verbanias dhe Alessandrias.

Akuzat i ka ngritur prokuroria e Trentos pas një hetimi të nisur që në korrik të vitit të shkuar nga karabinierët e provincës së Trentos. Sipas akuzës, të pandehurit individualizonin me kujdes objektivin e tyre, vidhnin ndonjë makinë e më të shkonin e plaçkisnin apo selinë e ndonjë shoqatë të vënë në shënjestër. Fshihnin mallin e vjedhur në një vend të sigurt e rekrutonin persona të rinj për të kryer një vjedhje të re.

Pesë nga të pandehurit ishin arrestuar në flagrancë natën e vitit të ri, por më pas këta ishin lënë të lirë. Dje janë arrestuar dhjetë persona, ndërsa ka urdhër arresti me burg edhe për dhjetë të tjerë, 3 prej të cilëve kërkohen në Itali e për 7 të tjerë do të nisin procedurat për nxjerrjen e një mandati arrestimi ndërkombëtar pasi rezultojnë të jenë në Shqipëri.

Karabinierët kanë mundur të rekuperojnë një pistoletë të vjedhur Krishtlindjet e shkuara, 25 mijë euro në të holla si edhe 200 mijë euro mallra të plaçkitura, kryesisht bizhuteri në flori e me gurë të çmuar.

Operacioni i djeshëm i quajtur “Selfie” e merr emrin nga fakti që dy prej hajdutëve i kishin bërë vetes disa fotografi me një tablet të sapovjedhur në një banesë. Kjo pakujdesi u kushtoi shtrenjtë, pasi një kopje e fotove i shkoi edhe pronarit të ligjshëm të aparatit në një hapësirë online të kontrolluar prej tij. Kjo gjë u dha mundësinë agjentëve që hetonin mbi rastin të kishin identitetin e dy prej banditëve e prej tyre të arrinin më pas te të tjerët.