Mbi 2 milionë euro në tetë muaj me trafikun e drogës, arrestohen 10 persona - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Të akuzuarit, pjesëtarë të dy familjeve shqiptare në Lombardi. U sekuestrohet edhe regjistri i llogarive që tregon të ardhurat marramendëse të siguruara nga furnizuesi i drogës

Romë, 21 shtator 2017 – Karabinierët e Milanos kanë arrestuar në provincën e Milanos, Vareses dhe Torinos dhjetë persona, nëntë shqiptarë e një italian, me moshë nga 22 deri në 54 vjeç, të gjithë të akuzuar për trafik e mbajtje të paligjshme të drogave të ndryshme, marihuanë, heroinë e kokainë.

Arrestimet u kryen pas tetë muajve hetime intensive mbi dy familje shqiptare të cilave iu sekuestrua edhe një regjistër në të cilin ishin raportuar llogaritë e një prej furnizuesve të drogës. Analizimi i të dhënave të gjetura në të ka treguar se nga droga e qarkulluar në tetë muaj ishin fituar mbi dy milionë euro.

Shitja “me pakicë” e drogës bëhej në një bar në qendër të Villa Cortese (provinca e Milanos), nga ora 12 deri natën vonë, dhe një person i grupit arrinte të bënte deri 40 shitje në ditë.

Rrëfimi i një të riu të ndaluar nga karabinierët menjëherë pasi kishte blerë një dozë nxori në dritë detajet: “Sapo hyra në bar mu afrua një prej dy djemve që i njihja si fytyrë, ai e kuptoi menjëherë pse kisha shkuar aty. Më dha gjysmë grami kokainë e unë i dhashë 45 uro. Ndërkohë baristi më përgatiti kafenë. E piva, pagova dhe dola. Nuk kam numër telefoni të personit që më dha drogën sepse e dija prej një miku që mund ta gjeja aty nga mesdita. Sa herë i kam kërkuar drogë, gjithnjë e ka nxjerrë nga xhepi e ma ka dhënë. Brenda barit ka edhe një person të dytë të cilit i drejtohet djali që më jep drogën”.

Nga hetimet doli se njëra prej dy familjeve, - nëna, babai dhe tre fëmijët (me përjashtim vetëm të më të voglit, akoma në moshë të mitur) - ishte tërësisht e përfshirë në këtë aktivitet të paligjshëm e çdo pjesëtar kishte një detyrë të caktuar.

Duke ndjekur linjën e furnizimit të kësaj familjeje, karabinierët arritën të gjejnë edhe një familje të dytë, edhe kjo shqiptare, që duke vepruar pak a shumë njësoj, bënte furnizimn e familjes së parë, dhe njëkohësisht furnizonte me drogë edhe fshatra të tjerë të provincës së Milanos si San Giorgio su Legnano, San Vittore Olona, Legnano dhe Cerro Maggiore.

Të arrestuarit janë mbyllur në burgun e Busto Arsizios dhe në San Vittore të Milanos.