Mbyten anijet e migrantëve, “400 persona të zhdukur në Mesdhe” - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Një tragjedi e re, ishin nisur nga Egjipti për të mbërritur në Itali. Një vit më parë, e njëjta rrugë u mori jetën 800 personave

Mbyten anijet e migrantëve, “400 persona të zhdukur në Mesdhe”Romë, 18 prill 2016 – Një tragjedi e re në Mesdhe. “Bbc Arabic” thotë se 400 persona që kishin marrë 4 mjete lundruese të vjetra për të ardhur drejt brigjeve italiane janë zhdukur. Një correspondent nga Kenia e kanalit televiziv ka intervistuar të afërm të të rinjve somalezë të mbytur që kanë pohuar se shumica e viktimave ishin nga Somalia, Eritrea dhe Etiopia. Karakatinat e detit ishin nisur nga Egjipti dhe u ishin drejtuar brigjeve italiane. Sipas shtypit soalez janë shpëtuar 29 vetë, ndërsa ambasadori i Somalisë në Egjipt thotë se po bëhen verifikime mbi mbytjet e mjeteve lundruese.

Pikërisht sot mbushet viti i një tjetër tragjedie të detit, asaj të 18 prillit 2015 që i kushtoi jetën 800 migrantëve në Kanalin e Sicilisë. Pjesa më e madhe e viktimave kanë mbetur në fund të detit, në 300 metra thellësi, në anijen e mbytur, që Marina Ushtarake italiane nga sot do të përpiqet të nxjerrë.

Ndërsa natën e shkuar, Roja Bregdetare ka shpëtuar në Kanalin e Sicilisë, 20 milje nga bridhet e Libisë, 108 persona, por në gomone u gjetën e trupat e pajetë të gjashtë personave.