Më mirë në burg, se në shtëpi me gruan - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Një 37-vjeçar në arrest shtëpie për krime të lidhura me shpërndarjen e drogës, largohet tre herë në një ditë. I vetëdijshëm që bën një shkelje të arrestit shtëpiak, uron që gjykatësi të marrë masa e ta fusë në burg sepse nuk duron dot të shoqen

Romë 4 gusht 2016 – Për tre herë në 24 orë ka shkelur rregullat e arrestit shtëpiak duke u larguar prej vendbanimit. Duket se e ka bërë me vetëdije me shpresën që gjykatësi të marrë masa e të mbyllë në burg: më mirë atje se me të shoqen në shtëpi. Këtë lajm “veror” që të bën të vësh buzën në gaz e sjell Il Tirreno, e sipas të përditshmes, protagonist i ngjarjes është shqiptari Durim Bahja 37 vjeç, rezident në Prato, i dënuar për shpërndarje droge. Gjithnjë sipas të përditshmes, ka qenë ai vetë që ka marrë në telefon policinë për të paditur veten kur gjendej në rrugë e jo në shtëpi. Pasi e kanë shoqëruar në kuesturë, shqiptari është paditur në gjendje të lirë për arratisje dhe i është dhënë urdhër të kthehet menjëherë në shtëpi.

Pasditen e të njëjtës ditë, Bahja është paraqitur sërish në Kuesturë: “Nuk dua të kthehem më në shtëpi” u ka thënë agjentëve, madje i ka siguruar se ishte i gatshëm të bënte çfarëdo krimi, vetëm e vetëm që ta fusnin në burg. Kërkesa u plotësua menjëherë, të paktën pjesërisht. U arrestua për shkelje të përsëritshme të masës së arrestit të shtëpisë por gjykatësi i Pratos që duhej të konvalidonte arrestimin e ka kthyer prapë atje ku nuk donte të shkonte: në shtëpi, në krahët e të shoqes.

Ndërkaq, e shoqja e Bahjes ka vendosur të marrë dy fëmijë e të shkojë me pushime për ca kohë që ta lërë të qetë të shoqin. Por tani del problemi tjetër: si do të sigurojë të paktën ushqimin Bahja që mbetet pa njeri? Avokati i tij ka paraqitur kërkesë që klientit të tij t’i lejohet një leje e shkurtër e përditshme sa për të bërë pazar.