Në Itali i pandehur për trafik droge, në Shqipëri ndërtues i suksesshëm - Shqiptari i Italisë

Kronikë

 

Fejzo Zekaj  - pronar në hije i “F.Z Construction” - me ndërtime kompleksesh rezidenciale në zonën e Liqenit, të Saukut dhe të Lundrës, ishte shpallur në kërkim nga gjykata e Brescias në 2015, por ekzekutimi i urdhër-arrestit u vonua për disa muaj.
Nga Lindita Çela, BIRN

Fejzo Zekaj, një biznesmen i njohur ndërtimesh në Tiranë u arrestua nga drejtoria e Krimit të Organizuar të enjten, 25 shkurt, pasi ishte shpallur në kërkim nga autoritetet italiane të drejtësisë për veprën penale të trafikut të lëndëve narkotike. Policia e Shtetit tha se 38-vjeçari Zekaj u arrestua pasi gjykata e Brescias në Itali kishte lëshuar një urdhër-arrest kundër tij.

Në një njoftim të shkurtër për shtyp, policia deklaroi se ndaj Zekajt ishte vendosur masa e “arrestit me burg” nga gjykata italiane, por nuk sqaroi kohën e lëshimit të urdhër-arrestit.

BIRN mësoi se biznesmeni i ndërtimit, i dyshuar për trafik të lëndëve narkotike në Itali  ishte shpallur në kërkim që në vitin 2015, por kërkesa e drejtësisë italiane vonoi të ekzekutohej për muaj me radhë.

Oficerë të policisë në Tiranë i thanë BIRN-it se emri i Fejzo Zekajt-pronar në hije i kompanisë së ndërtimit “F.Z Construction” nuk ishte i panjohur për ta. “Ai ka qenë i dyshuar për veprimtari të paligjshme, por statusi social i siguruar përmes investimesh të rëndësishme e kishte bërë thuajse të paprekshëm,” tha një agjent i policisë në kushtet e anonimatit.

I pyetur për vonesën e ekzekutimit të urdhër-arrestit për Zekajn, një zëdhënës i Policisë së Shtetit i tha BIRN se bëhet fjalë për kohën e nevojshme që kërkojnë procedurat. “Në raste të tilla ka procedura të domosdoshme ligjore të cilat duhet të ndiqen, para se të bëhet ekzekutimi i shpalljes në kërkim nga vende ku dyshohet se është kryer vepra penale,” tha ai.

Policia u tregua gjithashtu e rezervuar për të dhënë detaje mbi veprimtarinë e dyshimtë në Itali të të arrestuarit, e cila është bërë tashmë objekt hetimi.

Gjatë kohës që Zekaj ishte në hetim në Itali, duket se ia ka dalë të ndërtojë dhe të rrisë biznesin e tij në Shqipëri. Në vitin 2007, ai ka themeluar kompaninë e ndërtimit “F.Z Construction” në Tiranë dhe një vit më pas rezulton të ketë përfituar edhe fonde publike. Sipas Qendrës Kombëtare të Regjistrimit të Bizneseve, kjo kompani zotërohet në 100 për qind të aksioneve nga nëna 68 vjeçare e Fejzo Zekajt dhe administrohet nga motra e tij.

Pas arrestimit, Fejzo Zekaj pritet të përballet me gjykatën ku do të shqyrtohet kërkesa e drejtësisë italiane për ekstradimin e tij.

Edhe pse autoritetet shqiptare janë përgjithësisht aprovuese me kërkesat për ekstradim që vijnë nga shtetet anëtare në BE, gjatë viteve të fundit, disa të arrestuar të profilit të lartë, të akuzuar për trafikim narkotikësh dhe veprimtari të krimit të organizuar kanë mundur t’i luftojnë me sukses kërkesat për ekstradim në gjykatë.

Marrë me shkurtime nga reporter.al ku mund ta lexoni të plotë: Në Itali dyshohet për trafik droge, në Tiranë ndërtues i komplekseve luksoze