Në qeli kushte jonjerëzore, gjykata i ul dënimin me 4 muaj të burgosurit - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Elton Xhoxhi, 32 vjeç, në burg për vrasje, ankohet në gjykatë se qelia ku duhet të kalojë jetën deri në vitin 2032 është tejet e vogël

Romë, 6 qershor 2016 – Edhe të burgosurit, qofshin këta edhe vrasës, duhet të gëzojnë kushte “njerëzore” jetese që kanë të bëjnë veç të tjerash edhe me sipërfaqen minimale për njeri. E thotë këtë Konventa për të drejtat e njeriut.

Qelitë e burgjeve të Vicenzas dhe Padovës ku është mbajtur deri tani Elton Xhoxhi nuk i përmbushin këto kritere e gjykatësi i ka njohur atij zbritje dënimi me 133 ditë.

32vjeçari shqiptar i dënuar për vrasjen në 2007-tën të bashkatdhetarit Berard Kozaria (26 vjeç), që ditën e parë që vuri këmbë në burg është ankuar gjithnjë për kushtet e jetesës aty brenda: qoftë në Vicenza, qoftë në Padova është mbyllur bashkë me të tjerë në qeli të vogla, në të cilat u takonte më pak se 3 m2 për njeri. Për 1338 ditët e kaluara në burg në këto kushte gjykatësi i ka zbritur 133 ditë (1 për çdo dhjetë ditë të kaluara në kushte jonjerëzore) nga 26 vjet e 2 muaj që është dënuar për vrasjen.