Parma. Sërish dy shqiptarë që arratisen nga burgu - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Taulant Toma, 29 vjeç, i dënuar për grabitje e shpërndarje droge dhe Valentin Frrokaj, 35 vjeç, i dënuar për vrasje, janë arratisur të shtunën në mëngjes nga burgu i Parmës

Romë, 4 shkurt 2013 – Kanë sharruar hekurat e dritares e kanë zbritur murin me çarçafë të lidhur, sipas mënyrës më klasike të arratisjes nga burgu. Kështu janë larguar të shtunën në mëngjes nga burgu i Parmës, pa lënë gjurmë dy shqiptarë, njëri prej të cilëve duhet të vuajë dënim të përjetshëm.

Emrat e të arratisurve janë Taulant Toma 29 vjeç, i arratisur edhe njëherë tjetër nga burgu (më 9 tetor 2009 nga burgu i sigurisë së lartë të Ternit) me precedentë penalë për grabitje dhe shpërndarje droge.

Tjetri është Valentin Frrokaj, 35 vjeç, i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen në vitin 2007 të Elton Llahos në Brescia.

Nga kërkimet e deritanishme të forcave të rendit, nuk ka asnjë rezultat konkret. Nga dëshmia e një punonjësi të pikës së karburantit Cortile San Martino në autostradën A1, dy të arratisurit, me të dalë nga burgu, kanë ndaluar e kanë ngrënë mëngjes në Autogrill, e që aty duhet të kenë marrë autostradën (me ndihmën e dikujt që i priste aty apo me autostop) për t’u larguar nga Parma.

Arratisja e shqiptarëve ka nxjerrë edhe njëherë në dritë problemet e mëdha të burgjeve italiane: nga mbipopullimi te mungesa e vazhdueshme e personelit të nevojshëm. Sipas sindikatës së policisë së burgjeve, në mbarë Italinë personeli i policië së burgjeve ka rreth 7.500 persona më pak nga ç’nevojiten (650 më pak vetëm në Emilia Romagna), situatë që mund të rëndohet edhe më gjatë dy vjetëve të ardhshëm. Nga ana tjetër, sipas të dhënave të ministrisë së Drejtësisë, në 13 strukturat e burgimit të Emilia Romagnas të parashikuara për 2.543 persona, ka aktualisht 4.024 të burgosur (të dhëna të 31 janarit 2013). Të huajt e burgosur në krahinë janë më shumë se gjysma, 2.089, nga të cilët 245 shqiptarë.

K.B. / Shqiptari i Italisë
Mbi të njëjtën temë
Kapet në Vlorë Myrtaj, i arratisuri nga burgu i Vogheras një vit më parë
Fatmir Gashi, i arratisuri i fundit nga burgjet italiane
Është Altin Hoxha i arratisuri nga burgu i Romës, pjesëtar i një bande vilash
Tre shqiptarë arratisen nga burgu i Voghera-s
Ekstradohet në Itali Ndoi. Ishte arratisur nga burgu i Vogheras
Arkiv 'Bota Shqiptare':
Burgu s'është për burrat, prill 2005
Zogu dhe kafazi, prill 2005
Shqiptarët, mjeshtër të arratisjes, shtator 2003
Burgu u rri ngushtë shqiptarëve, maj 2003