Pensionisti që vret 22vjeçarin e panjohur që gjen në shtëpi, hero apo vrasës? - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Është Gjergj Gjoni, 22 vjeçari i vrarë në Vaprio d’Adda nga pensionisti që thotë se e gjeti brenda në shtëpi, ndaj mori armën dhe qëlloi. Për hetuesit ngjarja nuk ka rrjedhur kështu: i zoti i shtëpisë, pensionisti 65 vjeç, Francesco Sicignano e ka qëlluar në zemër në shkallët e jashtme të shtëpisë, para se Gjoni t’i hynte në shtëpi

Romë, 22 tetor 2015 – Nga njëra anë historia e treguar nga pensionisti, nga ana tjetër provat e mbledhura nga prokuroria. Ngjarja – që ka ndezur këto ditë polemika në opinionin publik, që i ka ndarë mes atyre që e konsiderojnë të moshuarin hero e atyre që nuk justifikojnë marrjen e jetës, dhe që po instrumentalizohet nga politika – është ajo e Vaprio d’Adda-s në provincën e Milanos, e të hënës vonë, kur pensionisti Francesco Sicignano, 65 vjeç, qëllon për vdekje me armë mbi një djalë të ri “që i kish në shtëpi” (fjalët e të moshuarit). Sot mësohet se i riu është 22-vjeçari Gjergj Gjoni që jetonte në Trezzo d’Adda, vetëm pak km larg vilës ku gjeti vdekjen.

Ngjarjen e tregon në vetë të parë vetëm pensionisti, tani i paditur për vrasje. I moshuari tregon si ka vrarë hajdutin. Thotë se ka parë hijen e një burri në kuzhinë e kur e ka pyetur se ç’donte aty, ky i është afruar për ta kërcënuar, i paarmatosur por me një elektrik dore që kish gjetur në vilë. Pensionisti i ka drejtuar revolen dhe e ka qëlluar në kraharor. Me pak fjalë, u ndie i kërcënuar prej tij e prej dy të tjerëve që ishin me të (që arritën të largoheshin e që akoma nuk janë identifikuar) ndaj qëlloi.  Gjithnjë sipas të moshuarit, pasi ka marrë plumb në kraharor, i riu është tërhequr zvarrë deri te shkallët e jashtme të vilës.

Por versioni i Sicignanos është pak i besueshëm. Hetuesit dyshojnë se i riu Gjoni është vrarë jashtë, para të hynte në shtëpi të të moshuarit, e të bëhej “hajduti”. Sipas verifikimeve balistik, ai është qëlluar nga lart poshtë, ndërsa nga kontrolli i shenjave brenda e jashtë shtëpisë del se nuk ka asnjë gjurmë gjaku që të dëshmojë se i riu është vrarë brenda shtëpisë. Me pak fjalë duket sikur i moshuari ka dalë në dritare e ka qëlluar mbi personin që po ngjiste shkallët e jashtme shtëpisë së tij.

Që Gjergj Gjoni ishte apo jo hajdut, ishte apo jo me precedentë penalë, ishte apo jo i dëbuar nga Italia, bien disi në plan të dytë. Nga ana njerëzorë është e dhimbshme që një 22 vjeçar humbet jetën. Ndërsa për drejtësinë është e rëndësishme të kuptojë nëse vrasja e tij është teprim mbrojtjeje legjitime (ishte sidoqoftë i paarmatosur, edhe po të pranohet versioni i të moshuarit) apo vrasje e pastër.

Ndërsa opinioni publik e politikanët e zonës ndahen mes atyre që mendojnë se mbrojtja është gjithnjë e ligjshme e të tjerëve sipas të cilëve drejtësia fai-da-te është e papranueshme. E të mos harrojmë që Vaprio d’Adda është në Lombardi që ka për guvernator legistin Maroni që i del në krah pensionistit e pohon se “Krahina do t’i paguajë shpenzimet për mbrojtjen legale”. Në krah të Sicignanos edhe Salvini: “Mbrojti familjen, e bëri shumë mirë!”.