Pesë vrasës për të marrë hak për mbesën e vetëvrarë - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Për vetëvrasjen e gruas në shtator të vitit 2009, dy xhaxhallarët e saj bëjnë me faj të shoqin, Silvester Cërrikun, të cilit i bëjnë benë se do të pësojë të njëjtin fat. Paguajnë një bandë për ta vrarë por nuk ia arrijnë qëllimit. Karabinierët e Veronës arrestojnë shtatë vetë

Romë, 12 mars 2012 – Nuk i kanë falur të shoqit të mbesës vetëvrasjen e saj duke e akuzuar si shkaktar të depresionit që e çoi në aktin ekstrem. Ndaj kanë paguar 5 vrasës që më 2 shtator 2011, me rastin e përvjetorit të dytë të vdekjes së gruas, ta vrisnin bashkëshortin Silvester Cërrikun, 31 vjeç, që ka shpëtuar gjallë për mrekulli.

Leonard Pici 32 vjeç, motra e tij Liljana Hasa, 36 vjeç, që të dy rezidentë në Gozzano të Novarës, fajësonin burrin e mbesës, Cërrikun, për vetëvrasjen e mbesës që më 3 shtator 2009 u hodh nga ballkoni i shtëpisë. Pas vdekjes së gruas, Cërriku ishte transferuar në Oulx të Torinos ku punonte si kopshtar pa u treguar të afërmve të saj se ku po jetonte. Ndërkaq, xhaxhallarët e gruas kishin marrë nën kujdestari të birin e vogël të saj, që i ati takonte në vende të paracaktuara nga asistentët socialë, por së fundi ai kishte kërkuar që djali të jetonte me të. Kjo gjë kishte nxehur edhe më keq të afërmit e të shoqes që kishin vendosur të marrin hak: i premtuan 50 mijë euro Ervin Xhakosit 26 vjeç, rezident në Verona, që ky të vrasë Cërrikun. Xhakosi ka kontaktuar 4 persona të tjerë, italianë, Giovanni Tamburrino, 34 vjeç, Antonio Improta, 25 vjeç, Michele Bevilacqua, 20 vjeç, rezidentë në Borgomanero (Novara), dhe Gaetano Troilo, 28 vjeç, rezident Gallarate (Varese).

Këta kanë zbuluar ku jeton Cërriku dhe kanë organizuar gjakmarrjen. Një mëngjes e kanë gjetur në një parking përgjatë rrugës kombëtare 24 dhe e kanë shtypur me makinë, një Mercedes e bardhë e ngarë nga Xhakosi në të cilën ishin edhe Tamburrino e Bevilaqua; më pas Xhakosi ka dalë nga makina dhe e ka qëlluar Cërrikun 2 herë me pistoletë në kokë. Përdhe, thuajse të vdekur, e kanë gjetur më pas disa kalimtarë që kanë dhënë alarmi.

I dërguar në spital në Torino, mjekët arritën t’i shpëtojnë jetën Silvester Cërrikut. Jeton edhe sot por nuk kujton asgjë nga ç’i ka ngjarë dhe për dëmet e përhershme në tru nuk mund të ecë ndaj është ende i shtruar në një qendër rikuperimi.

Pas gjashtë muajve hetime. Karabinierët kanë arrestuar ditët e para të marsit dy xhaxhallarët e gruas dhe pesë personat që u përpoqën të vrisnin Cërrikun.