Policia gjobit invalidin në karrige me rrota për pengim të trafikut - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Daut Zeqiri, prej vitesh  në karrocë me rrota, gjobitet nga policia e Firences sepse shkonte në rrugë e jo në trotuar

Romë 26 janar 2012 – 24 euro gjobë sepse “qarkullonte me karrigen e tij me rrota në rrugë edhe pse trotuari ishte i mjaftueshëm”. Është gjoba që i është vënë kosovarit Daut Zeqiri, 50 vjeç, prej vitesh rezident në kryeqendrën toskane dhe prej 22 vjetëve në karrige me rrota për shkak të një aksidenti.

Para pak ditëve teksa ishte në shtëpi me gruan e djalin 7 vjeç, dy agjentë të policisë municipale i kanë dorëzuar akt-verbalin e gjobës. “Doja të shkoja te bari nga ana tjetër e rrugës” është justifikuar aty për aty, por policët nuk kanë dashur t’ia dinin. Zeqiri është nxehur e nuk ka pranuar të tërheqë fletën e gjobës dhe as t’u tregojë agjentëve dokumentin e identitetit. Më pas policët kanë thirrur karabinierët të cilëve 50 vjeçari ka pranuar t’u paraqesë kartën e identitetit. Por ndërkaq përveç gjobës, ka marrë edhe paditjen për rezistencë ndaj nëpunësve të shtetit.

Sipas policisë municipale, në zonën ku është gjobitur Zeqiri, trotuari është i gjerë dhe i përshtatshëm për invalidët në karrige me rrota. Sipas Zeqirit “nuk është puna te 24 eurot”. “Ndihem i tradhtuar – thotë ai – nga qyteti që vite më parë më hapi dyert e më shpëtoi jetën”.

Daut Zeqiri është aksidentuar në vitin 1989 në stacionin e trenit Santa Maria Novella. Fillimisht është kthyer në Kosovë e më pas sërish në Firence për t’u kuruar e ku vazhdon të jetojë. Nga viti 1993 merr edhe një pension invaliditeti nga INPS. Shpesh me karrigen e tij me rrota shëtit gjithë qendrën e qytetit. “Njoh çdo qosh të qytetit, di në cilin bar ka një banjë që mund të përdor e në cilin jo. Di përmendsh ku mund të kaloj e ku jo, por nuk kam thirrur asnjëherë policinë kur kam hasur probleme, jam mësuar me barrierat”.

Lexo edhe: Ligji për integrimin e të drejtat e personave me aftësi të kufizuara