Prokuroria për tregtarin që vrau Frrokajn: “Vetëmbrojtje e ligjshme” - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Versioni bindës i ngjarjes i treguar nga tregtari argjendar dhe kurrikulumi i viktimës shtyjnë prokurorinë të pohojë paraprakisht se vrasja duhet konsideruar vetëmbrojtje e ligjshme

“Nuk doja ta vrisja, doja vetëm të mbroja familjen” kështu është shprehur para karabinierëve (dhe ka përsëritur disa herë në prokurori) menjëherë pas ngjarjes, Rodolfo Corazzo, argjendari tregtar 53 vjeç, që të martën në darkë vrau Valentin Frrokajn që i kish hyrë në vilë për ta vjedhur. 

Në prokurori, Corazzo bën edhe rindërtimin e asaj mbrëmjeje tragjike. Tregon se ishte kthyer nga puna me motor e se kur kish hapur portën prej hekuri të shtëpisë kishte kuptuar që pas krahëve kishte tre vetë. Në shtëpi kishte të shoqen dhe vajzën 10 vjeçe.

Banditët e detyruan të hynte në shtëpi e menjëherë më pas të çaktivizonte sistemin e video-mbikëqyrjes. Më pas kanë nisur ta rrahin në sy të të shoqes dhe të bijës.

Corazzo thotë se duke menduar për gruan e vajzën, u përpoq të gjente një rrugëdalje ndaj u propozoi banditëve t’u jepte gjithçka kishte e kështu po bënte. Por situata ka degjeneruar kur banditët nisën të dyshonin se argjendari nuk po tregonte të gjitha sendet e çmuara që kishte në shtëpi. E në këtë cast kanë nxjerrë armët e kanë hapur zjarr. Edhe Corazzo ka nxjerrë armën që mban me leje dhe ka shtënë njëherë në ajër si për t’i trembur, por banditët, në vend që t’ua mbathnin, kanë vazhduar të qëllonin. Vetëm në këtë cast, tregon tregtari mori nishan dhe qëlloi mbi njërin prej tyre, gjë që mesa duket grabitësit nuk e kishin menduar dhe kur kanë parë njërin prej tyre të shtrirë në tokë, dy të tjerët ia mbathën.

Për prokurorinë, versioni i tregtarit është i besueshëm. Aq më shumë pas kontrollit të vendngjarjes por edhe “karrierës” kriminale e viktimës. Ndaj edhe vetëm pak orë pas ngjarjes, prokurori ka pohuar se gjithçka ka ndodhur “në kuadrin e vetëmbrojtjes së ligjshme”.

Lexo edhe: I arratisur dy herë nga burgu, Valentin Frrokaj vritet nga i zoti i vilës që donte të vidhte

Shqiptari i Italisë
(Ndiqni Shqiptariiitalise.com edhe në Facebook dhe Twitter)