Romë. Tre shqiptarë arratisen nga burgu Rebbibia - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Kanë zbritur murin me çarçafë të lidhur, sipas mënyrës më klasike të arratisjes

Romë, 27 tetor 2016 – Burgu Rebbibia i Romës si një shesh-xhirim filmash: tre vetë, që të tre shqiptarë, sharrojnë në fillim hekurat e dritares së qelisë, pastaj arratisen duke zbritur murin rrethues me një çarçaf të kthyer në litar.

Ngjarja nuk ka të bëjë me trillimin kinematografik por është e vërtetë e ka ndodhur natën e shkuar dhe është konfirmuar nga rojet e burgut rreth orës 3:00, kur në burg janë sjellë 39 të burgosur të Camerinos të transferuar me urgjencë në Rebbibia për shkak të tërmetit që goditi mbrëmë Italinë qendrore.

Tre të arratisurit janë një 35-vjeçar i dënuar për vrasje, një 38-vjeçar për shfrytëzim prostitucioni dhe një 40-vjeçar të dënuar për vrasje të mbetur në tentativë.

Nga sa mësohet prej organeve të policisë, tre të burgosurit ia kanë mbathur nga muri rrethues në Sektorin G3 që jep mbi rrugën Tiburtina. Fillimist kanë sistemuar nën batanije në krevat disa shishe për të mashtruar rojet që kalonin në korridor për të kontrolluar, kanë sharruar hekurat e kanë vrapuar drejt murit rrethuestë cilin e kanë kapërcyer me litarë të sajuar me çarçafë të lidhur mes tyre.