Sajon sekuestrimin e grabitjen nga një bandë shqiptarësh, denoncohet - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Dëshironte t’i mbushte mendjen të fejuarës që Trento është qytet i dhunshëm, për t'u kthyer në vendlindje, Napoli.

Romë 26 janar 2012 – Një 20-vjeçar napolitan, për të bindur të fejuarën që Trento nuk është qytet i sigurt e që është më mirë të kthehen në  Napoli, ka denoncuar te karabinierët se ishte sekuestruar e grabitur nga një bandë e egër shqiptarësh. Ka treguar se sapo ka arritur në Trento ku do të niste punë si kamerier në një bar, në stacion të autobusëve është marrë dhe futur me forcë në një makinë që e ka çuar buzë lumit Adige. Aty i është marrë celulari dhe është rrahur nga tre shqiptarë.

Rrëfimi i djalit nuk i ka bindur karabinierët që e kanë marrë në pyetje me orë deri sa më në fund ka dalë në shesh e vërtetë. 20-vjeçari nga Napoli u ka pohuar se sajoi të gjitha vetëm e vetëm që t'i mbushte mendjen të fejuarës të mos jetonin në Veri, siç dëshironte ajo. Ka pohuar gjithashtu që celularin e kishte hedhur vetë në lumë, që gërvishtjet në trup, syzet e thyera dhe xhupi i shqyer ishin që të gjitha të bëra prej atij vetë.

E gjithë historia i kushtoi paditjen për simulim të veprës penale.