Sekuestrohen 1,5 tonë marijuanë e braktisur në breg - Shqiptari i Italisë

Kronikë

Për financierët që e kanë zbuluar pranë një gomoneje të braktisur, droga është sjellë nga Shqipëria. Në treg do kishte një vlerë prej 12,5 milionë eurosh

Romë, 16 shkurt 2012 – Plot 1.570 kilogramë marijuanë është gjetur mbrëmë nga forcat e Guardia di Finanza e Brindisit në zonën bregdetare që lidh Fasanon me Ostunin në Puglia. Sasia e drogës, e ndarë në 45 pako, është gjetur pranë një gomoneje që kishte ngecur në breg, një mjet lundrues fare i ri i pajisur me dy motorë me 250 kuaj fuqi secili. Sipas Guardia di Finanza edhe kjo ngarkesë ka shumë mundësi të jetë sjellë nga Shqipëria, si për nga vendi ku është gjetur, ashtu edhe nga mënyra e ambalazhimit e nga varieteti i marijuanës.

Me sa duket trafikantët, të cilët duhet të kenë udhëtuar natën, kanë hasur në ndonjë pengesë dhe kanë fshehur ngarkesën, duke menduar ta tërheqin atë më vonë.

Gjithnjë financierëve, nëse do të hidhej në treg, kjo sasi droge – e një cilësie shumë të mirë - do t'u siguronte trafikantëve rreth 12,5 milionë euro. Po hetohet për të gjetur përgjegjësit e trafikut.