Shkatërrohet banda e trafikantëve të drogës. 44 arrestime në Taranto - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Gjatë operacionit të karabinierëve në Taranto janë arrestuar 44 vetë, mes të cilëve edhe Englantina Arapi, 40 vjeç nga Vlora, dhe Edvin Sadiku, 28 vjeç nga Shkodra

Roma, 19 mars 2012 – Dyzetekatër persona të një grupi kriminal italo-shqiptar dedikuar trafikut të drogës, janë arrestuar gjatë një operacioni të gjerë të karabinierëve të Tarantos. Vetëm dy prej të arrestuarve janë shqiptarë: Englantina Arapi, 40 vjeç nga Vlora, dhe Edvin Sadiku, 28 vjeç nga Shkodra, që të dy me banim në Bitonto. Të gjithë të tjerët janë italianë, kryesisht nga Taranto. Mes tyre janë dhjetë gra, përfshirë edhe dy nga krerët. Sipas karabinierëve, organizata kriminale me bazë në lagjen Tamburi të Tarantos, drejtohej nga Cosimo e Maria Scialpi, Sonia Dema dhe Pietro Caforia.

Urdhër-arrestet janë lëshuar nga prokuroria antimafie e Lecces. Gjatë operacionit janë sekuestruar edhe pasuri të tundshme (makina e motocikleta) si edhe një vilë në Lido Azzurro të Tarantos, një dyqan në Tamburi, disa llogari bankare dhe para të thata të gjetura në shtëpitë e të arrestuarve për një shumë prej mëse 800 mijë eurosh.

Sipas akuzës, ky grup shpërndante lëndë narkotike, kryesisht heroinë, në zona të ndryshme të Italisë së jugut, si Bari, Taranto, Brindisi, Lecce, Matera dhe Cosenza.