Shkojnë në nëntë viktimat e ortekut në Restelicë të Kosovës - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Mbrëmë në darkë nxirret e gjallë nga gërmadhat e njërës shtëpi vajza 5-vjeçare. Kanë nisur në mëngjes kërkimet për tre persona të tjerë që mendohet të kenë mbetur të mbuluar nga bora. Sot paradite nxirren edhe dy trupa të pajetë

(e përditësuar)

Prishtinë, 12 shkurt 2012, ora 14.00 - Ekipet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur sot edhe dy trupa të pajetë në gërmadhat e shtëpive, të cilat u goditën dje nga orteku i borës. Lajmin e kanë konfirmuar për Kosovapress zyrtarë kosovarë që po merren me menaxhimin e situatës së krijuar pas kësaj tragjedie.

Me gjetjen edhe të dy trupave, tashmë bëhen 9 persona që kanë humbur jetën në këtë tragjedi. Sipas reporterit të Kosovapressit, aktualisht ekipet e kërkim-shpëtimit po vazhdojnë kërkimet për gjetjen edhe të një personi që dyshohet të jetë nën gërmadha.

ora 10.00

Ekipet e kërkim-shpëtimit, sot rreth orës nëntë të mëngjesit, kanë filluar sërish kërkimet në fshatin Restelicë, për gjetjen edhe të tre banorëve tjerë, për të cilët dyshohet se gjenden nën gërmadhat e shtëpive që u goditën dje nga orteku i borës. Sipas agjencisë Kosovapress, deri më tani, ekipet e shpëtimit kanë arritur të gjejnë trupat e pajetë të 7 personave, ndërsa mbrëmë në orët e vona nën gërmadha të shtëpive, është gjetur e gjallë një vajzë 5 vjeçare, e cila i mbijetoi kësaj tragjedie. Masivi i borës, i lartë mbi 10 metra dhe e i gjatë 500 metra, ka mbuluar të shtunën paradite afro 15 shtëpi të një lagjeje në fshatin Restelicë, duke shkatërruar disa prej tyre. Të gjithë personat që banonin në dy nga shtëpitë e shkatërruara nga orteku (gjithë të tjerat ishin të pabanuara) janë pjesëtarë të të njëjtës familje, Reka.

Osman Qerreti, përgjegjës i Departamentit të Operativës në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave në Prizren tha për Kosovapress, se kërkimet janë ndërprerë rreth orës 2.30 të mëngjesit dhe se ato kanë rifilluar sot rreth orës 9.00. “Njësitet e FSK, zjarrfikësve, policisë dhe qytetarët, kanë filluar sërish punimet sot rreth orës nëntë. Dyshohet se nën gërmadha, gjenden edhe tre persona, pasi që në bazë të informatave që kemi marrë nga qytetarët dyshohet se në ato shtëpi, të cilat janë goditur nga orteku i borës, kanë qenë 11 banorë. Shtatë nga ta tashmë janë të vdekur, një vajzë ka shpëtuar e gjallë dhe dyshohet se nën rrënoja kanë mbetur edhe tre persona, për të cilët ekipet e shpëtimit tashmë janë në kërkim”, pohoi Qerreti.