Tragjedi në Legnano. Dy të rinj shqiptarë humbin jetën të shtypur nga treni - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Janë gjetur mëngjesin e të mërkurës anash shinave të pajetë. Heton policia e hekurudhave për të zbardhur dinamikën e ngjarjes

Milano, 26 maj 2016 – Dje në mëngjes, dy të rinj shqiptarë 17 dhe 21 vjeç janë gjetur të vdekur anash hekurudhës, të shtypur nga ndonjë tren që ka udhëtuar në të gdhirë mes Gallarates dhe Legnanos.

Ka makinisti i një treni që kaloi aty rreth orës 9.45 që i ka pikasur dhe ka dhënë alarmin.

Në vendngjarje kanë shkuar agjentë të policisë së shtetit dhe të policisë hekurudhore që përpiqen të zbulojnë pse të rinjtë ndodheshin mbi shina, nëse po bënin ndonjë lojë që përfundoi keq, nëse po ecnin përgjatë binarëve apo thjesht po i kapërcenin ato. Mendohet se mund t’i ketë shtypur ndonjë tren mallrash i Trenitalia-s, pasi janë kontrolluar të gjthë ata të shoqërisë Trenord që kanë kaluar aty gjatë natës e nuk u është gjetur ndonjë shenjë që të dëshmojë për përplasjen me të rinjtë. Autopsia do të tregojë edhe nëse të rinjtë ishin të dehur apo të droguar.

Hetimet duken disi të vështira pasi në atë pjesë të hekurudhës nuk gjenden telekamera.