Tragjedi në një familje shqiptare. Padashje, babai shtyp të bijën 18muajshe - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Burri po fuste makinën në garazh duke ecur mbrapsht e nuk e ka vënë re të voglën që i kishte shpëtuar për një çast kontrollit të të ëmës

Romë, 21 tetor 2016 – Tragjedi nga ato që nuk ia uron as hasmit i ka ndodhur një familjeje shqiptare në Mazzarrone të Catanias ditën e mërkurë në mbrëmje.

Një vajzë e vogël 18 muajshe ka humbur jetën e shtypur nga makina që ngiste i ati teksa ecte mbrapsh për të parkuar në garazhin e shtëpisë. Vogëlushja ka ndërruar jetë në çast pasi koka i është shtypur nga njëra prej rrotave të veturës.

Lajmin e jep sot e përditshmja lokale “La Sicilia” që shkruan se babai, 33-vjeçar shqiptar është paditur nga karabinierët për vrasje nga pakujdesia, akt i detyrueshëm në të tilla raste edhe pse askush nuk vë në dyshim dhimbjen që ha të gjallë burrin e që gjithçka ka ndodhur padashje.

Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, burri, e shoqja 25 vjeç e dy vajzat e vogla, e madhja 4 vjeç dhe e vogla 18 muajshe sapo kishin mbërritur në shtëpi. Pasi kishin zbritur e shoqja dhe dy vajzat, 33-vjeçari po fuste makinën në garazh. Për fatin e zi, vogëlushja i ishte larguar të ëmës dhe i është afruar makinës nga mbrapa pikërisht në çastin kur i ati po e manovronte në retromarsh për ta parkuar. Sapo ka ndier goditjen, babai ka ndaluar menjëherë makinën, ka zbritur e ka gjetur të bijën në tokë.

Duke ulërirë nga dhimbja e tmerri ka marrë të bijën e ka hipur në makinë dhe është nisur me maksimumin e shpejtësisë drejt mjekut roje të Mazzarrones.

Mjeku është përpjekur menjëherë të rianimojë foshnjën e ka thirrur në ndihmë edhe mjekë të tjerë të Ndihmës së Shpejtë, por që të gjithë nuk kanë mundur të kthejnë në jetë të voglën.