Transportonin djathë, kos dhe ... kokainë. Arrestohen dy persona - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Në kamionin që transportonte bulmet, karabinierët gjejnë edhe 40 kg kokainë. Arrestohen Shkëlqim Sina dhe Bujar Gjonku, rezidentë në provincën e Bergamos

Romë, 19 janar 2012 – Dy arrestime dhe 40 kg kokainë e sekuestruar, është rezultati i operacionit të karabinierëve të Piacenzas në bashkëpunim me ata të Firences.

Hetimet e nisura në tetor të vitit të shkuar mbi disa shpërndarës droge në Firence janë përmbyllur  më 10 janar në pikën e pushimit Trebbia në autostradën A21. Karabinierët kanë ndaluar një kamion të drejtuar nga Shkëlqim Sina 47 vjeç dhe Bujar Gjonku 52 vjeç, rezidentë në Bergamo dhe titullarë të një ndërmarrjeje transporti bulmetrash.

Një erë e fortë mentoli, në kamionin që transportonte djathë e kos, ka tërhequr vëmendjen e karabinierëve, që kanë vendosur të kontrollojnë me themel. Dhe kështu, të ndarë në 38 pako, kanë gjetur dhe sekuestruar 40 kg kokainë me një vlerë tregu prej 5 milionë eurosh. Mesa duket, për t’u shpëtuar kontrolleve të mundshme me qentë anti-drogë, shqiptarët kishin zgjedhur të trajtonin qeset me të cilat mbështillnin drogën, me mentol. Dy shqiptarët janë çuar menjëherë në burgun e Piacenzas.

Sipas hetuesve droga duhet të ketë prejardhje holandeze dhe do të shpërndahej kryesisht në Toskanë, Emilia Romanja dhe Lombardi.