Treviso. Vjedh një mijë litra naftë nga kamionët e parkuar - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Karabinierët po hetojnë mbi bashkëpunëtorët e mundshëm, të cilëve shqiptari 23 vjeçar mund t'ua ketë shitur një pjesë të naftës në të zezë

Romë, 20 janar 2012 – Me rritjen e çmimit të benzinës, ndokush mendon ta vjedhë e ndonjë tjetër ta blejë në të zezë. Një shqiptar 23 vjeç është ndaluar nga karabinierët për  vjedhjen e 1.000 litrave naftë nga serbatorët e dy kamionëve të ndërmarrjes Codognotto të Salgaredos në provincën e Trevisos.

Duket se duke përfituar nga nata, shqiptari u është afruar automjeteve të mëdha të parkuara dhe u ka zbrazur serbatorët. Alarmin e kanë dhënë punonjës të ndërmarrjes të shqetësuar nga një zhurmë e çuditshme që vinte nga parkingu i kamionëve. Kur kanë dalë të verifikojnë kanë parë të riun të largohet me një mercedes të cilës arritën t’i merrnin disa shifra të targës.

Falë këtyre karabinierët kanë arritur të gjejnë menjëherë për cilën veturë bëhej fjalë dhe i kanë shkuar në shtëpi ku kanë pritur disa orë para se shqiptari të kthehej. Në makinë i kanë gjetur akoma bidonë me 200 litra naftë dhe tani janë vënë në kërkim të ndonjë bashkëpunëtori apo të ndonjë blerësi të mundshëm të sasisë tjetër të naftës së vjedhur.