Velletri. Vritet me armë zjarri Ariton Shaskaj - Shqiptari i Italisë

Kronikë
33-vjeçari u qëllua me pistoletë në kokë në sy të të shoqes e të fëmijëve të vegjël në hyrje të picerisë së tij

Romë, 27 qershor 2016 - Një ekzekutim i mirëfilltë. Kështu e konsiderojnë forcat e rendit që po hetojnë mbi vrasjen e mbrëmshme që i mori jetën picajolit Ariton Shaskaj, 33 vjeç, përpara picerisë së tij Peccati di Gola në rrugën Turati të Velletrit.

Sipas dëshmitarëve të ngjarjes, Shaskaj u thirr nga dy persona mbi një scooter, një prej të cilëve zbriti dhe e qëlloi me dy plumba në kokë. Menjëherë më pas, dy personat, me fytyrë të mbuluar nga skafandrat, u larguan me shpejtësi nga vendngjarja.

Në vendngjarje mbërritën qoftë ekipi i ndihmës së shpejtë që nuk mundi të bënte asgjë për 33-vjeçarin, qoftë karabinierët e policia që kanë nisur hetimet mbi ngjarjen e që nuk përjashtojnë asnjë pistë.

Viktima përshkruhet si njëri i qetë e paqësor dhe tani për tani janë akoma të paqarta motivet e mundshme të vrasjes, që bëhet akoma më e hidhur po të mbahet parasysh që ka ndodhur në sy të të shoqes dhe të fëmijëve të tij të vegjël.