Vranë një të ri në postbllok, mbyllet pa dënime gjyqi ndaj karabinierëve - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Castenovo Sotto. Bie në parashkrim akuza për vrasje nga pakujdesia për dy karabinierë që në vitin 2009 vranë 28-vjeçarin Elton Kastrati

Romë, 26 shkurt 2016 – Prokurori kërkoi mbylljen e çështjes sepse fakti nuk përbën krim. Gjykatësi dekretoi arkivimin për parashkrim të akuzës. Kështu u mbyll çështja gjyqësore ndaj dy karabinierëve që në shkurt 2009 në një postbllok qëlluan për të ndaluar një makinë të vjedhur e që për pak nuk i kish aksidentuar, duke lënë të vdekur në vend 28-vjeçarin Elton Kastrati.

Avokati i dy karabinierëve të hetuar për vrasje nga pakujdesia ka mbrojtur tezën se shtatë-tetë fishekët u qëlluan vetëm e vetëm për të ndalur makinën të cilës i jepej me shpejtësi të lartë. Sipas verifikimeve balistike të plumbit që vrau 28-vjeçarin, doli se ai mund të ketë bërë rikoshetë në tokë para se të thyente xhamin e makinës i t’i futej në kokë viktimës. Gjatë gjyqit edhe prokurori arriti në përfundimin se avokati kishte të drejtë: të shtënat kishin për qëllim të ndalonin makinën që ecte me shpejtësi shumë të lartë e përbënte një rrezik të madh. Pra, ka bërë ose jo rikoshetë plumbi, dy karabinierët vepruan mirë e përdorimi i armëve duhet konsideruar i ligjshëm, ndaj prokurori kërkoi arkivimin për shkak se fakti nuk përbën vepër penale.

Avokati i Kastratit iu kundërvu kërkesës për arkivim të prokurorit dhe kerkoi një seancë të re. Kjo u mbajt dje por sidoqoftë solli në mbylljen e çështjes nga gjykatësi që dekretoi parashkrimin: në fakt ngjarja është e shtatë vjetëve më parë e vrasja nga pakujdesia parashkruhet në gjashtë vjet (pra nëse nuk arrihet në gjashtë vjet në një sentencë, çështja mbyllet).