Vret gruan me thikë në mes të rrugës. Arrestohet menjëherë Pashko Gjelaj - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Hane Gjelaj ka vdekur në mes të rrugës e therur nga i shoqi. Ka ndodhur mbrëmë në darkë në Noale të Venecias

Romë, 27 mars 2012 – Burri e ka ndjekur nga pas në rrugë pas ngrindjes së radhës. Ajo është përpjekur të largohet me biçikletën e saj por nuk ia ka arritur t’i shpëtojë të shoqit. Ai e ka kapur, e ka masakruar duke e qëlluar disa herë me thikë, dhe e ka lënë të vdesë në mes të rrugës.

Viktima është Hane Gjelaj, 46 vjeç, masakruesi i saj, i shoqi Pashko Gjelaj 53 vjeç, të cilin e kishte lënë tre vjet më parë. Tragjedia ka ndodhur mbrëmë rreth orës 22 në rrugën Moniego të Noales (Venecia).

Klithmat e gruas së terrorizuar kanë tërhequr vëmendjen e kalimtarëve që kanë marrë menjëherë në telefon 112. Karabinierët kanë pasur dy telefonata të tipit: “Ejani shpejt, po e vret” të bërë nga dy të rinj, rreth 20 metra larg vendit të ngjarjes, që janë përpjekur edhe të ndërhyjnë vetë duke i bërtitur burrit që të mos i bëjë keq. Por thirrjet e tyre nuk mundën të shmangnin tragjedinë.

Të tjerë dëshmitarë që kanë kaluar në rrugën Moniego e kanë gjetur gruan të vdekur në një pellg me gjak dhe me thikën aty pranë. Edhe ata kanë thirrur karabinierët që ndërkaq ishin vënë në lëvizje e kanë mbërritur menjëherë në vendngjarje.

Sipas tyre, gruaja kishte disa plagë të marra me thikë, njëra prej të cilave në grykë që ka qenë fatale për gruan.

Menjëherë karabinierët janë vënë në ndjekje të burrit që, sipas dëshmitarëve, ishte larguar me biçikletën e të shoqes nga vendi i ngjarjes. E kanë kapur në rrugën Ongari dhe e kanë çuar në kazermë. Pashko Gjelaj, 53 vjeç, i papunë, është marrë në pyetje por ende nuk janë të qarta arsyet e vrasjes së tmerrshme të së shoqes.

Hane Gjelaj, 46 vjeç, shërbente në një qendër të moshuarish në Noale. Çifti ka tre fëmijë, një prej të cilëve në moshë të mitur. Sipas dëshmive të disa miqve, çifti nuk shkonte mirë vitet e fundit, madje gruaja duket se nuk rrinte më në të njëjtën shtëpi me të shoqin.