Vritet me armë 49 vjeçari në Terni, vrasësi ndalohet në Bari - Shqiptari i Italisë

Kronikë
Viktima është Demir Hyseni, baba i tre fëmijëve, ndërsa vrasësi, sipas forcave të rendit, është 60-vjeçari Kujtim Beli që u kap pak para se të merrte tragetin për Durrës

Romë, 19 korrik 2017 – Mëngjesin e djeshëm Terni u zgjua me të shtënat që i morën jetën një 49 vjeçari shqiptar në rrugën Galvani, në qendër të qytetit. Ishte ora 6.30 kur Demir Hyseni, prej rreth 15 vjetëve punëtor në një ndërmarrje ndërtimi të zonës, ka ndezur makinën e parkuar poshtë shtëpisë për të shkuar në punë, kur i ka dalë përpara ai që më pas u bë vrasësi i tij. Në fillim janë grindur me fjalë që kanë zgjuar shumë banorë nga gjumi e pas pak shumë vetë kanë deklaruar të kenë dëgjuar qartë të shtënat, e më pas akoma ulërimat e të shoqes dhe të të bijës së Hysenit. Plumbat të shtënë nga shumë afër e kanë goditur Hysenin në gjoks, bark e një krah. Është thirrur menjëherë ambulanca e Demir Hyseni është dërguar me urgjencë në spitalin Santa Maria por ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur.

Viktima, pa asnjë precedent penal, lë pas gruan dhe tre bij. Kush e njihte, e përshkruan si njeri të ndershëm, punëtor dhe shumë të lidhur me familjen, ndaj e ka të vështirë të kuptojë ç’ka shtyrë tjetrin t’i marrë jetën.

Ndërkaq policia e karabinierët e thirrur në vendngjarje kanë mbledhur dëshmitë e familjarëve dhe të banorëve të tjerë të lagjes. Janë ata që dhanë informacione për vrasësin që ishte larguar në këmbë e që kishte hedhur pistoletën te një kazan plehrash ku u gjet nga forcat e rendit. Brenda ditës, e pikërisht dje në mbrëmje, në Bari u ndalua vrasësi i dyshuar. Është Kujtim Beli, edhe ky shqiptar, i datëlindjes 1957. Ishte duke marrë tragetin për Durrës kur karabinierët e Ternit, në bashkëpunim me forcat e rendit të Barit, i kanë vënë prangat.

Deri tani, forcat e rendit akoma nuk kanë të qarta arsyet e vrasjes, ndaj marrja në pyetje e vrasësit të dyshuar do t’i ndihmojë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.