38 martirët katolikë. Riti i Lumnimit në Shkodër më 5 nëntor - Shqiptari i Italisë

Shqipëri
Papa Francesku ka dërguar përmes Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, konfirmimin se data e Kremtimit do të jetë 5 nëntor në Sheshin e Katedralës së Shën Shtjefnit në Shkodër

Tiranë, 13 korrik 2016 – Konferenca Ipeshkvore e Shqipërisë ka bërë me dije se Kremtimi i  38 martirëve shqiptarë do të jetë data 5 nëntor, në Sheshin e  Katedralës së Shën Shtjefnit në Shkodër.

“Më në fund, me letrën që Ati Shenjte, Papa Françesku ka dërguar përmes Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, konfirmimin se data e Kremtimit do të jetë 5 nëntor në Sheshin e Katedralës së Shën Shtjefnit në Shkodër. Riti i Lumnimit do të udhëhiqet nga Prefekti për Çështjen e Shenjtërve, Eminenca e tij Kardinal Angelo Amato”, thuhet në njoftimin zyrtar.

Më tej, sqarohet se procesi dioqezan i filluar më 10 nëntor 2002 dhe i mbyllur me 8 dhjetor 2010, u analizua nga ekspertët e Kongregatës për Çështjen e Shenjtërve dhe me dekretin që Papa Françesku firmosi me 27 prill 2016 u dekretua se mund të shpallen të Lumë.

“Me këtë shpallje, kemi plotësuar të gjitha detajet e nevojshme. Tashmë, na takon neve që t’i naltojmë e të përgatitemi për t’i nderuar me festën tonë të hareshme shpirtërore. Si Arqipeshëv që ka çuar përpara proçesin e Martirëve, me ekipin e gjyqit kishtar që falënderoj, si Arqipeshkëv i Vendit ku do të kremtohet Mesha e Lumnimit dhe në emër të Konferencës Ipeshkvore, Ju bëj thirrjen dhe ju nxis për të kremtuar sa më denjësisht këtë moment historik për Kishën dhe Kombin. Zoti Ju bekoftë!”, lexohet në njoftimin zyrtar.

Lexo edhe:
Kush janë 38 martirët e krishterë shqiptarë
Papa Françesku autorizon Lumnimin e 38 martirëve shqiptarë